Nju-Jork, 9 maj – I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Stafan De Mistura, do të rinisë javën e ardhshme bisedimet politike midis qeverisë dhe opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshjen për paqe. Zyra e De Misturës komunikoi se bisedimet do të zhvillohen më 16 maj në Gjenevë. De Mistura tha se shpreson se marrëveshja që kanë arritur javën e kaluar Rusia, Irani dhe Turqia, për krijimin e zonave të sigurta në Siri, do t’i vendosë bazat për negociatat e OKB-së. De Mistura po ashtu shfaqi shpresën se kjo marrëveshje do të zbatohet dhe se do të zvogëlojë dukshëm dhunën. Irani dhe Rusia mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Asad, ndërsa Turqia mbështet rebelët që e luftojnë atë. Duke shpallur marrëveshjen, tri vendet kanë thënë se do të garantojnë armëpushimin në zonat e sigurta, i cili ka nisur fundjavën e kaluar. Vitet e nismave diplomatike kanë dështuar t’i japin fund luftës gjashtëvjeçare në Siri, e cila ka lënë mbi 320,000 njerëz të vrarë dhe ka zhvendosur miliona. Palët mbeten të bllokuara për fatin e Asadit.