Urim HASIPI
Tetovë, 15 mars – Ndonëse është në fund të mandatit, pushteti aktual në Tetovë këtyre ditëve është aktivizuar për rregullimin e trotuareve në Tetovë, shkruan gazeta KOHA. Me këtë rast, është filluar me punë në rikonstruimin e trotuareve më të dëmtuara në Tetovë, gjegjësisht në pjesën qendrore të qytetit. Nga Komuna e Tetovës janë arsyetuar se rikonstruimi i këtyre trotuareve është paraparë në program e miratuar për punë në Këshillin e komunës dhe nuk është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Nga Sektori për tokë ndërtimore dhe komunikacion në Komunën e Tetovës, sqarojnë se bëhet fjalë për një projekt që do të përfshijë trotuaret në Bulevardin Ilirija. Bëhet fjalë për rikonstruimin e Bulevardit Ilirija deri tek udhëkryqi me Bulevardin e Rrugës Industriale. Projekti kap një gjatësi prej 1300 metrave dhe rikonstruimi bëhet në të dy anët e bulevardit, gjegjësisht të trotuareve, vendosja e pllakave. Krahas kësaj do të bëhet edhe rregullimi i gjelbërimit apo zhardonierëve. Po ashtu, këto zhardonierë do të jenë më të lartë që gjelbërimi të mirëmbahet më mirë, po ashtu do të ketë edhe ndriçim të këtyre pllakave. Në ndërkohë janë paraparë edhe vendosja e karrigeve dhe shportave. Është një shëtitore apo trotuar, për të cilin ka nevojë qyteti i Tetovës. Fillimi i rregullimit të trotuareve në pjesën qendrore në Tetovë, është shoqëruar edhe me një fenomen tjetër, gjegjësisht para dy netëve është prerë një dru. Nga Komuna e Tetovës thonë se rastin e kanë denoncuar në polici dhe e njëjta duhet të zbulojë se kush e ka kryer këtë veprim të pahijshëm. “Gjatë kësaj kohe po ashtu NPK-ja do të bëjë edhe krasitjen e druve, që ndodhen përgjatë këtij bulevardi. Në ndërkohë, të dielën mbrëma kishim një veprim të pahijshëm nga ana e një qytetari, ku është prerë një dru në këtë trotuar. Ne nuk e dimë se kush e ka bërë këtë, nuk është prerë me urdhër të institucioneve të komunës, por është veprim individual dhe ne e kemi denoncuar rastin në policinë e Tetovës, e cila, shpresojmë që të zbulojë se kush qëndron prapa këtij akt”, tha për KOHA, Husein Demiri, udhëheqës i Sektorit për tokë ndërtimore dhe komunikacion në Komunën e Tetovës. Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 55 milionë denarë dhe të njëjtat janë të siguruara nga Komuna e Tetovës, ndërsa jozyrtarisht pritet që punët të përfundojnë për 8 muaj.
“Duke pasur parasysh se për përfundim të një pjese të këtij trotuari duhet një muaj dhe bëhet fjalë për tetë trotuare në këtë bulevard, atëherë diku rreth tetë muaj do të duhen që tërë ky projekt të përfundojë si duhet”, thonë nga Komuna e Tetovës. Ndryshe, krahas këtyre trotuareve në pjesët tjera të qytetit, pjesët më të mëdha ose janë të uzurpuara ose janë të dëmtuara dhe vështirë qarkullojnë këmbësorët.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.