Stephanie McMahon, presidentja e WWE (World Wrestling Entertainment) ka bërë me dije se objektivi i saj është që të sjellë pranë kësaj disipline sportive ikonën e UFC-së, Ronda Rousey. Kjo e fundit ka pranuar se është në fundin e karrierës së saj në Artet Marciale Mikse dhe se së shpejti, pasi të jetë 30 vjeçe, do të tërhiqet nga sporti. Rousey rikthehet më 30 dhjetor në oktagon, në UFC-207, teksa do të përballet me brazilianen Amanda Nunes për titullin kampion, të cilin e ka humbur një vit më parë. “Kjo do të jetë një nga sfidat e mia të fundit”, tha Rousey për të ardhmen e saj.
Duke parë këto deklarata të Rousey, presidentja e WWE-së ka nisur të lëvizë dhe shpreson t’i mbushë mendjes sportistes amerikane që të mos braktisë sportin, por të kalojë në këtë disiplinë të re sportive. “Unë shpresoj shumë që ta bind Ronda të kalojë tek ne pasi të tërhiqet nga UFC-ja. Për ne kjo do të ishte një fitore e madhe, pasi Rousey ka shumë famë dhe do të shërbente për të promovuar më shumë këtë sport. Unë do të përpiqem të firmos një para-kontratë me të, për ta bindur të garojë për ne”, tha McMahon. Kjo nuk do të ishte hera e parë që një sportist i UFC-së kalon te WWE-ja, ndërkohë që pak muaj më parë dështoi përpjekja për të marrë Paige VanZant. (Tele-sport)