Inter ka ide të mëdha dhe synon të përforcojë ekipin me blerje të goditura që mund ta ndihmojnë ekipin të kthehet aty ku i takon brenda një kohe të shkurtër. Skuadra zikaltër është grumbulluar në Appiano Gentile, për t’u transferuar më pas në Bruniko, ku do të kalojë këtë pjesë të parë të përgatitjeve në pritje të turneut veror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Luciano Spalletti pret Borja Valero, me Inter që duket se ka arritur një marrëveshje me Fiorentina-n dhe lojtarin. Për këtë arsye tani sytë janë kthyer nga objektiva të tjerë. Sipas “Gazzetta dello Sport”, drejtuesit zikaltër duket se kanë pasur kontakte me Alexi Sanchez, i cili po mendon të largohet nga Arsenal.
Walter Sabatini dhe Piero Ausilio janë vënë në lëvizje dhe duket se e kanë rrugën ët hapur pas frenimit të Bayern Munich, që dukej si klubi favorit për të siguruar shërbimet e kilianit. Bëhet fjalë për një operacion të vështirë, por, sipas burimeve afër vetë lojtarit, duket se ekziston dëshira për t’u kthyer te një kampionat të cilin e njeh shumë mirë. Skuadra zikaltër e ka kërkuar Alexis që në kohën kur luante tek Udinese, por ai ka zgjedhur të transferohej te Barcelona. Pas aventurës në Katalunjë, ai është transferuar tek Arsenal, ku ka shkëlqyer, por tani kontrata e tij është afër skadencës ai duket se nuk ka ndërmend të qëndrojë më aty. Klubi londinez nuk do të rrezikojë ta humbasë atë me kosto zero, por negociatat nuk do të jenë aspak të lehta.