Krijimi i makinave autonome ka qenë një arritje e madhe në fushën e transportit. Megjithatë duket se ato nuk janë limiti i makinës, që pilotohet vetë. Së fundmi pjesë e kësaj janë bërë edhe autobusët, transmeton gazeta Metro. Një autobus elektrik autonom do të testohet në qytetin holandez të Wageningen. Ai do të ketë gjashtë pasagjerë dhe do të përshkojë rreth 200 metër të shtrirjes së rrugës.
Ky do të jetë testi i parë i këtij lloji në mbarë botën. WEpod është një mjet vetëlëvizës, pa kontroll dhe pa pedale. Ai drejtohet plotësisht më anë të energjisë elektrike, ka dyer automatike dhe një platformë për përdorimin e karrigeve me rrota. Automjeti është 2.7 metra i gjatë dhe 1.9 metra i gjerë.
Shpejtësia maksimale e tij është 40 km/h, por kur të testohet në rrugë ajo do të kufizohet në 25 km/h. Duke përdorur kamera, radarë dhe sensorë laseri, WEpod do të mund të mbledhë informacione në lidhje me rrethinat e tij. Si rezultat, automjeti mund tu përgjigjet përdoruesve të tjerë të rrugës dhe ndryshimeve të papritura. Projekti u zhvillua me Universitetin Teknik Delft dhe kushtoi rreth 3 milion euro ose 3.3 milion dollarë.