Shkup, 25 maj – Kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, të enjten është paraqitur në Prokurorinë e Shkupit për të rrëfyer para prokurorëve për ngjarjen e dhunshme të 27 prillit që ndodhi në Parlament. Duke e komentuar vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit, e cila të martën i dënoi me kusht nëntë të akuzuarit për sulmin në Parlament, Sela tha se drejtësia në vendin tonë duhet të jetë e njëjtë për të gjithë dhe se vendimet selektive të gjykatësve nuk duhet të ketë. “Nuk mund që dikush të dënohet me tre vjet burg sepse ka hedhur gur dhe vetëm e vetëm sepse është shqiptar, kurse dikush tjetër të lirohet me kusht, kur për qëllim kanë patur edhe vrasjen”, tha lideri i LR-PDSH-së, Ziadin Sela. Mes tjerash, ai para gazetarëve konfirmoi se Aleanca për Shqiptarët i ka dhënë mbështetje formimit të një qeverie e cila duhet të bëjë reforma në drejtësi. Përveç kreut të LR-PDSH-së, deri më tani në Prokurorinë e Shkupit janë paraqitur një varg deputetësh të cilën me 27 prill nga afër ishin goditur nga sulmi brutal i huliganëve, ku lëndime të rënda morri deputeti Ziadin Sela.