Urim HASIPI
Tetovë, 19 prill – Në Tetovë ka dështuar projekti për vendosjen e kontejnerëve për selektim të mbeturinave në vende publike dhe pranë amvisërive. Edhe pse para dy vitesh në Tetovë filloi vendosja e kontejnerëve për selektim të mbeturinave, megjithatë të njëjtit janë djegur dhe tashmë nuk janë funksionalë, shkruan gazeta KOHA. Statistikat tregojnë se në Tetovë, në vit digjen dhe dëmtohen rreth 100 kontejnerë, të cilët jo vetëm që e dëmtojnë financiarisht ndërmarrjen, por edhe i japin një imazh të keq vetë qytetit. Gjithsej, sipas të dhënave zyrtare, janë djegur rreth 80 kontejnerë prej plastike, të cilët kanë qenë të destinuar për selektimin e mbeturinave nëpër amvisëri.
“Nga gjithsej 152 kontejnerë të plastikës, gjegjësisht 79 kontejnerë me plastikë të zezë janë djegur. Në ndërkohë, 45 kontejnerë me ngjyrë të verdhë nuk kanë funksionuar asnjëherë. Gjithsej kontejnerë të mëdhenj prej metali janë 470, ndërsa janë dëmtuar 24 prej tyre. Vetëm 10 kontejnerë me ngjyrë të gjelbër janë funksional në Tetovë”, ka thënë për KOHA, Nazif Jashari nga Ndërmarrja publike komunale Tetova-Tetovë. “Mbi 100 intervenime kemi pasur për ndezje të kontejnerëve gjatë dy viteve të kaluara. Si pasojë e këtyre zjarreve, kemi dëm të konsiderueshëm material. Po ashtu kjo i ndihmon në masë të madhe edhe ndotjes në Tetovë, sepse nëpër kontejnerë digjet material i ndryshëm”, tha Uka Aliti, kryeshef i Njësisë së zjarrfikësve të Tetovës.
Drejtues të Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova Tetovë, nënvizojnë se djegia e kontejnerëve u kushton shumë, pasi që në disa pjesë të qytetit të Tetovës janë vendosur kontejnerë plastike. “Ndezja e kontejnerëve është një nga dukuritë e cila më shumë i kushton ndërmarrjes sonë. Dëmet janë të mëdha, pasi që brenda vitit rreth 80 kontejnerë përfshihen nga zjarri. Një kontejnerë i plastikës kushton 18 mijë denarë, ndërsa 80 kontejner të djegur është një shumë e madhe e cila mbulohet me buxhet vetanak. Për këtë askush nuk merr përgjegjësi, kurse dëmin e pësojmë ne si ndërmarrje”, deklaroi drejtori i kësaj ndërmarrje, Xhelal Ceka. Deri më tash ende nuk është ngritur asnjë kallëzim penal ndaj ndonjë individi lidhur me djegien e kontejnerëve, sepse sipas informacioneve jozyrtare, djegia ka ndodhur gjatë orëve të natës dhe nuk është kapur asnjë autor i këtyre veprave. Përfaqësues të NPK-së në Tetovë konfirmuan se projekti i filluar para tre vitesh për selektim të mbeturinave është tërësisht i dështuar, ndërsa tashmë ata kontejnerë që janë për mbeturinat e amvisërive, përdoren edhe për hedhjen e mbeturinave ndërtimore në shumë pjesë të qytetit të Tetovës, kurse edhe për këtë dukuri inspektorati komunal, asnjëherë deri më tash nuk ka ngritur asnjë padi penale ndaj ndonjë ndërmarrje private apo individi. Policia e Tetovës ka theksuar se ka raste të këtilla të denoncimit por deri më tash nuk ka identifikuar kryerësit e këtyre veprave. Kjo dukuri e shëmtuar dhe e papërgjegjshme vijon të jetë prezent edhe në këtë periudhë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara