Fisnik NUHIU
Shkup, 21 shkurt – Java e 19 në Ligën e Parë nisi vikendin e kaluar, por që u zhvillua vetëm ndeshja e ditës së shtunë mes Akademija Pandevit dhe Rabotniçkit, ndërsa pesë përballjet që ishin planifikuar të luhen të dielën e 14 shkurtit u anuluan për shkak të reshjeve të shumta të borës në vendin tonë. Ndërkaq, të njëjtat takimet do të luhen këtë të diele.
Kështu lideri i tabelës Shkëndija ndeshjen e parë të sezonit pranveror do ta luaj në terren mysafirë ku do të përballet me Sileksin e Kratovës.
“Edhe pse kjo përballje duheshe të luhet vikendin e kaluar nuk u zhvillua për shkak të kushteve klimatike që kapluan vendin tonë. Mirëpo neve kemi patur kohë që ta përgatisim mirë këtë takim. Duhet të dimë se starti i kampionatit kërkon kujdes dhe respekt maksimal për secilin, sepse është ndeshja e parë dhe nuk dihet si do të reflektoj çdo skuadër për të parë formën që kemi arritur edhe ne edhe kundërshtari në kuadër të fazës përgatitore. Prandaj ne jemi maksimalisht të vëmendshëm për të dhënë më të mirë dhe për të kërkuar për të marrë pikë maksimale sepse qëllimi jonë është titulli i kampionit dhe në këtë drejtim duhet të grumbullojmë pikët nga ndeshja në ndeshje. Respektojmë kundërshtarin e dimë që do të jep më të mirën, por ne jemi të bindur për të fituar këtë ndeshje “, deklaroi për gazetën Koha, Egzon Bejtullai.
Nga ana tjetër ekipi i FC Shkupit me trajnerin e ri Hakan Ozan dhe me transferimet e reja do të synojë që në sezonin pranveror të bënë më mirë së në pjesën e parë, ku deri në fund të kampionatit pritet të luftojnë me skuadrën e Shkëndijës për titullin kampion. Kështu ndeshja e parë për ekipin nga Çairi do të jetë ditën e diel, ndërsa do të jenë mysafirë të Borecit.
Kapiteni i ekipit Besar Iseni ka theksuar për gazetën Koha, se skuadra ka punuar shumë gjatë përgatitjeve, për të zhvilluar një gjysmësezon sa më të mirë.
“Gjatë përgatitjeve që kemi patur në kohën e pushimit ne si skuadër kemi punuar shumë dhe jemi të gatshëm për të zhvilluar një sezon sa më të suksesshëm. Si zakonisht fillimet janë të vështira dhe duhet patur kujdes, por neve jemi përgatitur edhe për këtë. Presim që të gjitha përforcimet e reja të adaptohen sa më shpejtë me ekipin dhe shpresojmë që të dielën ndaj Borecit ta nisim me fitore. Do të jetë një pjesë e dytë e gjatë dhe me shumë ndeshje interesante, neve jemi të gatshëm që deri në fund të kampionatin të tentojmë që të jemi në garë për titullin kampion”, deklaroi për gazetën Koha, kapiteni i FC Shkupit, Besar Iseni.
Kujtojmë së në këtë ndeshje mungesë për shkak të pesë kartonëve të verdhë do të jetë Besart Krivanjeva. Ndërsa, me shumë gjasa në këtë përballje pritet të jenë edhe dy transferimet e fundit Abdul Ruatubyaye si dhe sulmuesi Mamaduba Bangura.
Skuadra e Struga Trim Lum, në shtëpi pret ekipin e Makedonija GJ.P. Ekipi strugan është gati për këtë përballje, ndërsa trajneri i ekipit Srxhan Zaharievski thekson se janë gati për këtë sfidë dhe se duan të dëshmojnë se kanë skuadër të fortë në elitën e futbollit vendor.
“Për ne çdo ndeshje është derbi dhe është i rëndësishëm për ne, pasi megjithatë neve jemi të rinj në këtë garë, ku duam të dëshmojë se kemi skuadër, organizim të mirëfilltë, kushte, që Struga Trim Lum shumë vite të jetë pjesë e elitës”, ka theksuar Srxhan Zaharievski.
Në përballjet tjera që do të luhen ditën e diel, skuadra e Qatip Osmanit, Renova në shtëpi pret Bellasicën dhe Vardari është nikoqire e Pelisterit. Të gjitha takimet nisin me fillim prej ora 14.