Shkup, 20 nëntor – 18 gola nga pesë përballje, janë shënuar në javën e 15 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë. Spikat disfata e parë e Vardarit nga Rabotniçki, dhe tani ata kanë vetëm 4 pikë më shumë se Shkëndija, e cila lehtë mposhti Makedonija Gj.P. me 4:0. Skuadra tjetër nga Tetova, Renova në kohën shtesë i ka shpëtuar disfatës nga Sileksi. Me golin nga penaltia në minutën e 93 nga kapiteni Fisnik Nuhiu, “gjipspunuesit” kanë barazuar rezultatin në 2:2.
Është dashur të kalojnë 15 xhiro që kampioni aktual Vardari të pësojë disfatën e parë. Ka qenë skuadra e Rabotniçkit, ajo e cila me rezultatin e thellë 3:0 ka mundur kuqezinjtë, duke ia shkaktuar disfatën e parë dhe njëkohësisht duke rikthyer buzëqeshjen në ekip dhe gjasat për pozitën e tretë. Vazhdon kriza për Shkupin. Bardhekaltërit u mundën në Manastir nga Pelisteri me 2:0. Pesë gola janë shënuar në përballjen mes Bregallnicës dhe Pobedës, ku mysafirët nga Prilepi në fund triumfuan me rezultati 3:2.
Rezultatet:
Rabotniçki – Vardari 3:0
Mak.Gj.P. – Shkëndija 0-4
Pelisteri – Shkupi 2:0
Bregallnica – Pobeda 2:3
Renov – Sileksi 2:2
Tabela: Vardari 34 pikë, Shkëndija 30, Pelisteri 28, Rabotniçki 23, Renova 20, Sileksi 19, Shkupi 15, Pobeda 14, Makedonija Gj.P. 10 dhe Bregallnica 8 pikë