Bujar KURTAJ
Shkup, 12 mars – Java e 22 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë sjell edhe një përballje ku njëra kundër tjetër do të jenë ekipet shqiptare. Në Çair skuadra e FC Shkupi do të pret KF Renova, ku skuadra tetovare vjen pa ndonjë ngarkesë psikike sa i përket rezultatit, por ajo nuk donë të thotë se djemtë e trajnerit Qatip Osmani nuk do të tentojnë të korin fitore.
Në anën tjetër, tre pikët nga kjo përballje për futbollistët e Shkupit janë më se të nevojshme, duke marr parasysh pozitën në tabelë (vendin e tetë). Të gjithë futbollistët janë të vetëdijshëm se i pret një ndeshje e rëndësishme, ndërsa respektojnë kundërshtarin. Ata thonë se janë në një situatë ku tre pikët u nevojiten shumë. I tillë është edhe mendimi i Muharem Bajramit, njërit prej futbollistëve më të mirë të Shkupit.
“Të dielën na pret një ndeshje shumë e rëndësishme për faktin se luajmë kundër një skuadre që kemi respekt maksimal, siç është Renova, skuadër kjo e cila në 3-4 vitet e fundit nuk ka pësuar shumë ndryshime dhe e njohin mirë njëri-tjetrin. Por, duhet pasur parasysh se ne jemi në një situatë ku me çdo kusht na duhen tri pikët, ndërsa për ti fituar ato duhet zbatuar të gjitha detyrat që do të jepen nga trajneri ynë Ardian Nuhiu. Ky ekip dhe këta lojtar nuk e meritojnë këtë pozitë ku jemi momentalisht, sepse kualiteti dhe cilësia që posedojmë ka treguar se vetëm një finalizim na mungon, andaj shpresojmë që me një fitore të ngrihemi më lartë në tabelë, me çka do të gëzonim ‘Shvercerat’ dhe publikun tonë që nuk mungon në asnjë ndeshje për të na dhënë mbështetjen”, deklaroi për faqen zyrtare të FC Shkupi, Muharem Bajrami. Në ndërkohë, trajneri Ardian Nuhiu, në dispozicion për këtë ndeshje do ti ketë të gjithë futbollistët, ndërsa prej më herët mungojnë Filip Janevski, Emmanuel Mbella dhe Nikolla Iliç.
Të vetëdijshëm se i pret një ndeshje e vështirë janë edhe futbollistët e Renovës. Ndërkaq, kapiteni Fisnik Nuhiu premton se do të zhvillohet një ‘luftë’ e madhe në fushë nga të dyja skuadrat. “Na pret një ndeshje shumë e vështirë ku e dimë se Shkupi me çdo kusht e kërkon fitoren dhe në ndeshje do të hynë të motivuar. Ndoshta nuk pritet të zhvillojmë një lojë të bukur shkaku i fushës në Çair, por sigurisht do të ketë shumë angazhim dhe ‘luftë’ nga të dyja skuadrat. Shkupi ka një skuadër shumë të mirë dhe ne i respektojmë, por ne jemi të përgatitur që të arrijmë deri te rezultati i dëshiruar, vetëm e vetëm për të mbajtur hapin me skuadrat që janë para neve në tabelë”, deklaroi për KOHA, kapiteni Nuhiu. Në këtë përballje Renova do të jetë pa Muhamed Useinin, ndërsa rikthehet mbrojtësi Visar Musliu, i cili u rehabilitua nga lëndimi.
Skuadra e Shkëndijës në Tetovë do të pret Pobedën, skuadër kjo e cila në Tetovë do të vjen me një vetëbesim të madh pas asaj fitore të papritur ndaj liderit aktual Vardarit. Por, në anën tjetër kuqezinjtë të mësuar nga kiksi i javës së kaluar kur luajtën baras 0-0 me Shkupin, kësaj ndeshje do ti qasen maksimalisht. Ata të gatshëm e presin këtë përballje. “Të gatshëm presim përballjen me Pobedën dhe jemi të koncentruar për të dhënë më të mirën nga vetja. Hapi i gabuar që bëmë javën e kaluar është mësim për ne, për të qenë të përqendruar mbi maksimumin në çdo ndeshje, posaçërisht me ekipe nga fundi i tabelës që kundër nesh luajnë maksimalisht të mbyllur dhe tërhequr në pjesën e tyre. Prandaj na duhet shumë koncentrim, për të shfrytëzuar edhe mundësinë më të vogël për të shënuar, që më pas ta kemi më të lehtë për të administruar lojën”, deklaroi për KOHA, Egzon Bejtullai.
Në ndeshjet tjera, Vardari do të pret Bregallnicën, në një përballje ku nuk duhet të vjen në shprehje fituesi, Rabotniçki i Suad Sahitit do të jetë mysafir i Pelisterit, ndërsa duel për mbijetesë do të zhvillojnë Sileksi dhe Makedonija Gj.P.
Të gjitha ndeshjet e javës së 22 do të luhen të dielën në ora 14.00.
Java e 22, takohen:
Pelisteri – Rabotniçki
Sileksi – Mak.Gj.P.
Vardari – Bregallnica
Shkupi – Renova
Shkëndija – Pobeda
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.