Sulmi i djeshëm terrorist me bombë pranë stadiumit të Beshiktashit që kishte për qëllim dëmtimin e forcave të ndërhyrjes së shpejtë të policisë turke, ka lënë edhe 3 viktima të lidhura me botën e futbollit.
Dy punonjës të klubit të Beshiktashit humbën jetën si pasojë e shpërthimit. Me anë të një njoftimi zyrtar, klubi i futbollit nga Stambolli shprehu ngushëllime për viktimat Tunç Unxhu dhe Vefa Karakurdu. Unxhu, 29 vjeç, ishte një nga punonjësit e dyqanit të aksesorëve të klubit, ndërsa Karakurdu ishte anëtar i bordit të Beshiktashit dhe shefi i ruajtjes së sigurisë të stadiumit “Vodafone Arena”.
Ndërkohë viktima e tretë ishte një tifoz i Fenerbahçes, 19-vjeçari Berkaj Akbash. Ai ishte student mjekësie në Ankara dhe kishte shkuar në Stamboll bashkë me disa shokë për të kaluar fundjavën. Akbashi bashkë me shokët ishte duke kaluar me një makinë pranë stadiumit të Beshiktashit në momentin e shpërthimit. Ai humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të rënda.