Omer XHAFERI
Shkup, 7 korrik – Pavarësisht se kanë kaluar 16 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në Armatën e Maqedonisë, vazhdon të mbetet nën përqindjen e paraparë me ligj. Rasti i fundit me diskriminimin e shqiptarëve në këtë dikaster ka ndodhur gjatë realizimit të procedurave për regjistrimin dhe pranimin e kadetëve të ri në Akademinë Ushtarake, për vitin akademik 2017/18. Për dallim nga vitet e mëhershme, kur numri i kadetëve shqiptar në akademinë “Mihaillo Apostollov” ishte i kënaqshëm, këtë vit numri sipas të gjitha gjasave, numri dukshëm do të reduktohet. Nga gjithsej 12 kandidatë shqiptarë të cilët në maj të këtij viti u paraqitën në konkursin për kadetë, gjatë selektimit që është bërë deri më tani, rezulton se kenë mbetur vetëm 4 kandidatët shqiptarë, prej 32 sa pranohen gjithsej kadetë. Nuk dihet nëse deri në fund edhe këta nëse do të pranohen, pasi ende janë në rrjedhë e sipas fazat tjera të konkursit për pranim.
Gazeta KOHA javën e kaluar raportoi se pjesa dërmuese e kandidatëve që iu nënshtruan testit psikologjik dhe kontrolleve psiko-fizike u eliminuan. Me këtë problematikë u njoftua edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila solli vendim për përsëritjen e testimit për kandidatët e eliminuar. Mirëpo, kur kandidatët të hënën kishin shkuar në kontrolle, janë refuzuar nga mjeku psikiatër Petre Rsitevski. Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, të enjten tha se ekzistojnë kritika serioze për mënyrën se si është hapur dhe si po zhvillohet procedura për pranimin e kadetëve të ri në Akademinë Ushtarake. Sipas saj, kjo përzgjedhje e kadetëve të ri, në mënyrë të pazakontë, ka filluar në muajin maj. Më tej ministrja Sheqerisnka thekson se është në pritje të raportit zyrtarë se si do të veprohet më tutje, duke theksuar se shkeljet e procedurave janë evidente.
Ndërkaq, zëvendësministri Bekim Maksuti për gazetën KOHA thotë se është i njoftuar me problematikën e konkursit, ndërsa garanton se do të gjenden forma të respektohet 25 përqindëshi i përfaqësimit të shqiptarëve. “Sa i përket këtij konkursi, ne do të presim të përfundojnë të gjitha fazat. Nënshtrimi testit psikiatrik nuk do të thotë vendim se kush është pranuar. Ju siguroj se nga parimi i 25 përqindëshit nuk do të iket. Në këtë rast ka gjasa që të nënshkruhet vendim për kadetët të cilët i kanë dhënë provimet dhe të përsëritet pjesa e pa mbuluar me shqiptarë”, thotë zëvendësministri Maksuti.
Diskriminimi në konkursin e fundit të Akademisë Ushtarake ka ngritur shqetësimin se në këtë mënyrë shqiptarët seriozisht rrezikohen që të mbesin pa kuadro të larta në strukturat udhëheqëse të Armatës së Maqedonisë, pasi Akademia është parakusht për arritje në majat e ARM-së. Respektimi i parimit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes, gjegjësisht pranimi dhe regjistrimi i kadetëve shqiptar në Akademinë Ushtarake konform kornizës ligjore prej 25 për qind duhet të sqarohet para fillimit dhe shpalljes publike të konkursit, thotë ish ministri Mbrojtjes, Arben Llabënishti. Sipas tij, kjo duhet të bëhet në bashkëpunim mes kuadrove shqiptar në këtë ministri dhe drejtuesve të saj, të cilët së bashku duhet të arrijnë marrëveshje për të ndarë në përputhshmëri atë përqindje që ju takon shqiptarëve. “Gjatë ushtrimit të detyrës zëvendës ministër kam arritur çdo herë që në regjistrimin e kadetëve të respektohet parimi i përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve, respektivisht parimit të 25 për qindëshit. Madje çdo herë kam arritur të shtojë plus një kadet shqiptar”, thotë Llabënishti. Në këtë drejtim, ai thekson se gjërat duhet të shikohen me një këndvështrim më serioz. “Fatkeqësisht ashtu siç po e përcjellë zhvillimin e situatës më rezulton se nuk do të ketë ndonjë progres, në krahasim me të kaluarën. Sipas asaj që po e shohë, gjërat ose do të ngelin aty ku janë, ose do të thellohen më keq sa i përket integrimit të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes”, potencon ish zëvendësi i Mbrojtjes, Arben Llabënishti. (koha.mk)