Laura PAPRANIKU
Shkup, 3 janar – 2016-ta ka qenë plot ulje-ngjitje në sferën e arsimit, shkruan gazeta KOHA. Goditja më e madhe, sa i takon cilësisë, padyshim se ishin rezultatet e dobëta të nxënësve në testimet ndërkombëtare “PISA 2016”, ku u dëshmua edhe një herë se niveli i dijeve të nxënësve në Maqedoni është tejet i ulët. Moszgjidhja e problemeve me tekstet shkollore, mungesa e hapësirave, mjeteve për arsim bashkëkohor e përcollën edhe vitin që lamë pas e, nëse i shtojmë kësaj gjendje edhe krizën politike e cila u reflektua edhe në këtë sferë, kuptohet vetvetiu se sa i rënduar ishte sistemi arsimor përgjatë vitit 2016. Madje, ishte një vit që nisi me një ministër dhe që po mbyllet me një tjetër, të cilët edhe pse të së njëjtës proveniencë politike, detyrimisht u bënë pjesë e vakumit institucional në kuptimin e organizimit dhe funksionimit të dikasterit arsimor. Janë shënuar edhe suksese sa i takon shtimit të infrastrukturës arsimore. Në shtator, rrjetit të shkollave të mesme të kryeqytetit iu shtua edhe një gjimnaz në gjuhën shqipe, ai i Sarajit. Në Dibër u inaugurua objekti i ri i gjimnazit “28 Nëntori”, kurse në fund të muajit tetor hapi siparin Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.
Një universitet i ri publik
Pa hyrë në analiza të thella për profilin e studimeve, për cilësinë e studentëve të regjistrua këtë vit apo dhe nivelin e stafit akademik, në kontekstin e zhvillimit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, themelimi i UNT-së shënon një kthesë të rëndësishme në historinë arsimore të shqiptarëve të Maqedonisë. UNT, përveç që do të jetë universiteti i dytë i karakterit publik me mësim në gjuhën shqipe, do të veprojë në kryeqytet – një nevojë dhe kërkesë e kamotshme kjo e shqiptarëve të Maqedonisë. Se sa të shëndosha janë themelet e këtij institucioni, këtë do ta dëshmojë koha, mirëpo ajo që nuk duhet injoruar, ka të bëjë me krijimin e mundësive të shqiptarëve për të pasuar një qasje më të drejtë në shfrytëzimin e buxhetit që ndahet për arsimin e lartë. Universiteti i Tetovës, ka bërë disa ngjitje në performancën akademike dhe ka parë veten pak më mirë në ranglistat e ndryshme të nivelit ndërkombëtar, krahasuar me disa vite përpara, edhe pse jo mjaftueshëm, ndërsa Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), ka shënuar 15 vjetorin e ekzistimit të tij. “Web Ranking” apo ”Webometrics” i nxjerrin universitete në gjuhën shqipe në përgjithësi në pozita të disfavorshme, UT-në në vendin 8680, UEJL-në në vendin 7853 për dallim prej Universiteti “Kirili dhe Metodi” të Shkupit, i cili renditet në vendin e 1395-të. Nuk pati zhvillime të konsiderueshme as përtej nivelit të studimeve universitaren. Me gjithë premtimin se do të rregullohet mbrojtja e gjuhës shqipe prej bastardimet të vazhdueshme që i bëhen saj në libra, komunikime zyrtare, media, broshura, reklame dhe materiale të tjera propaganduese, 2016-ta shënoi dështim në këtë fushë. U projektua që me përgjegjësinë profesionale të kësaj çështje të ngarkohet Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë (ITSHK), mirëpo Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Qeveria dështuan t’i sigurojë ITSHK bazën juridike për licencimin e lektorëve. Kësaj të fundit si mbeti gjë tjetër, përpos të merret me promovimin e librave dhe organizmin e ndonjë konference shkencore, ku sivjet spikati Simpoziumi për “70 vjetorin e zgjerimit të shkollave shqipe në Maqedoni”
Probleme shumëfish
Librat e Kembrixhit, ishin në agjendën e prioriteteve. U ndanë 70.600.000 denarë për vazhdimin e Programit për hartimin e librave të klasave VII, VIII dhe IX nga një qendër e posaçme në Kembrixh, duke rrumbullakuar “reformën” me tekstet shkollore të lëndëve matematikore dhe shkencore për ciklin e arsimit fillor. Ndërkaq, librat e historisë, gjeografisë, muzikës, artit dhe të tjerave që prekin tema të ndjeshëm të karakterit ndëretnik, mbetën të pandryshuara. Duke kthyer vëmendjen sa më shumë në çështje të prekshme, problemet në arsimin shqip nisin e shumëfishohen. Për nxënësit e diasporës nuk ndryshoi asgjë. MASH nuk emëroi asnjë mësues të vetëm. Nga 17 me 4 sa ishte raporti i mësuesve të diasporës për nxënësit maqedonas dhe shqiptarë, një vit më parë këtij numri iu shtua edhe një mësues i ri për diasporën maqedonase në Suedi. Shqiptarët vazhdojnë të përfitojnë nga mësuesit që dërgon Kosova dhe Shqipëria.
Në defensivë u gjetën krerët e MASH-it për vitin 2016 edhe sa i takon çështjes së legalizimit të emrave në shkollat fillore të Komunës së Çairit. Pas “luftës politike” mes ministrave shqiptarë dhe zëvendësministrit maqedonas, ajo që u fitua në këto instanca, u humb në instanca të tjera. Regjistri Qendror ka bllokuar legalizimin, duke mos iu regjistruar shkollat sipas emrave “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi” dhe duke mos u dhënë vulat përkatëse, për çka në dokumentacion janë të detyruara të përdorin emrat dhe vulat me “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov”. Kështu ndodh edhe me gjimnazin e Dibrës dhe shkollën fillore të Hasnbegut, të cilat për veten përdorin emrat “28 Nëntori” dhe “22 Nëntori”, kurse për shtetin “Zdravko Çoçkovski” dhe “25 Maji”.
Zhvillim gjithsesi pozitiv ishte mobilizimi i nxënësve të shkollave të mesme për t’i kundërshtuar zëshëm paralelet artificiale – formimin e të cilave e mundëson Konkursi që publikon MASH. Përveç bojkotimit standard të këtyre paraleleve në shollat e mesme të Zhitoshës dhe Vrapçishtës, në regjistrimin e nxënësve për vitin shkollor 2016/2017 mbeten pa nxënës paralelet maqedonase të shkollës së mesme “Cvetan Dimov” dhe u minimizua jehona e regjistrimit në paralelet maqedonase të shollës së mesme ekonomike “Arseni Jovkov” nga ana e nxënësve shqiptarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.