Kryetari i Kuvendit i pyetur nëse SHBA-të kanë kërkuar nga Qeveria heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, tha se nuk ekziston një kërkesë e tillë, por se kanë kërkuar që t’i jepet një mundësi dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Letra e presidentit Trump, qëndrimet e këtij ambasadori të SHBA-ve që i bart qëndrimet janë mesazhe që i marrin shumë seriozisht. Ka një kërkesë që t’i jepet fuqi Kosovës në procesin e dialogut, nuk ka kërkesë për t’u hequr”, citon KosovaPress Veselin.
Veseli ka folur edhe për vizitën e djeshme të presidentit të Rusisë në Serbi dhe akuzat e opozitës se ata janë përgjegjës për mos liberalizimin e vizave.
“Avdullahu duhet me fol diçka se është në opozitë, është bërë ylli i opozitës. Ne jemi me Amerikën, fqinji jonë po pretendon me qenë mirë me partnerët tanë por po i hapë dyert Rusisë. Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Kosovës. Kosova do të jetë në organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe po punojmë shumë. Opozita duhet t’iu bashkëngjitet proceseve”, tha Veseli.
Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, nuk ka komentuar vizitën e Putinit në Serbi.
E shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, kritikoi mbarëvajtjen e mbledhjes së kryesisë, duke thënë se nuk janë diskutuar fare grevat e mësimdhënësve dhe të mjekëve.