Nga Sali SHASIVARI
Tmerri, krimi, gjenocidi dhe holokausti që po ushtrohet ndaj popullit sirian – tashmë plotë gjashtë vite – tejkalon çdo ndjenjë, shprehje, frazë apo fjalë! Para inserteve dhe pamjeve rrëqethëse, të cilat përcillen dhe duken, si dhe përballë ofshamës së heshtur si dhe përjetimeve të përmasave apokaliptike nëpër të cilat ka kaluar populli sirian përgjatë këtyre viteve, çdo fjalë do të ishte e tepërt dhe e pakuptimtë!
Trupat e copëtuar të foshnjave, fëmijëve, të rinjve, grave dhe pleqve po damkosin rëndë memorien tonë kolektive njerëzore, po vulosin zemrat tona të gurëzuara, dhe po tronditin ndërgjegjen tonë, tashmë të vdekur! Si asnjëherë më parë, njerëzimi nuk “luajti qerpik” karshi tragjedisë më të madhe njerëzore të pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk u panë dhe dëgjuan reagime masive, ekuivalente me përmasat e tragjedisë! A thua vallë si arritëm të jemi kaq indiferent ndaj një tragjedie dhe krimi të këtyre përmasave, edhe atë, për vite me radhë!? A thua vallë, si lejuam që të arrijmë deri në këtë shkallë dhe derexhe, sa që, përreth kësaj kasaphane ndaj një populli të tërë, të mos jemi në gjendje as edhe të protestojmë!? Para këtij realiteti të hidhur, për kot mundohemi të kërkojmë “mëshirë” prej shteteve “demokratike”, të cilat, themelet i kanë të ndërtuara mbi gjakun e popujve si dhe njerëzve të pafajshëm! Kot i drejtojmë gishtat e akuzës ndaj individëve që përngjajnë si njerëz, por që shpirtin e tyre ia kanë shitur djallit të mallkuar! Madje, më kot presim reagimin e organizatave dhe institucioneve kompetente ndërkombëtare, organizata dhe institucione këto të cilat janë aq të kalbura dhe “impotente”, sa që, tashmë gati tre vite e më tepër, janë ndalur së numëruari edhe viktimat e kësaj lufte. Kështu, shifra e 250 mijë viktimave, të cilën e dëgjonim para tre viteve, po e njëjta përsëritet edhe sot e kësaj dite; shifër kjo, e cila, në bazë të disa burimeve relevante dhe të besueshme konsiderohet se ka arritur 1 milionëshin. Në këtë luftë të padrejtë u tejkaluan të gjitha “vijat e kuqe” të cilat proklamoheshin nga palaçot “demokratikë” dhe promovuesit e të “drejtave të njeriut”! Armatimi kimik, i cili supozohej se u shkatërrua në vitin 2014, vazhdon të përdoret nga regjimi monstër sirian, pa kurrfarë kontrolli dhe ndëshkimi. Kryekrimineli, Bashar Asad, i cili para dy tri vitesh, me të drejtë konsiderohej kriminel dhe shkaktar kryesor i fatkeqësisë së popullit sirian, sot, nga po të njëjtët “palaço”, konsiderohet partner dhe aleat i rëndësishëm në “luftën kundër terrorit dhe terroristëve”. E, në këtë rast, çdo njeri normal nuk ka se si të mos e parashtrojë pyetjen se: kush kë e lufton!? Për cilin terror dhe për cilët terroristë e kanë fjalën?! A thua kanë për qëllim monstrën e ashtuquajtur ISIS, të cilën e krijuan me duart e veta, apo mos kanë për qëllim popullin e pafajshëm sirian, i cili po masakrohet në mënyrat më brutale, me bekimin e qarqeve dhe shteteve të cilat proklamojnë “luftën kundër terrorit”?! Kjo, sidomos kur dihet fakti se, terrori, si nocion, para së gjithash nënkupton terrorin shtetëror. Në këtë luftë të padrejtë dhe të pabarabartë nuk mbeti shtet që nuk u involvua; poashtu, nuk mbeti lloj armatimi konvencional apo jokonvencional që nuk u përdor. Duke u bazuar në deklaratat e shumë analistëve dhe ekspertëve, Siria është shndërruar në poligon për harxhimin e armatimit të vjetruar, me qëllim zbrazjen e magazeve të stërmbushura të atyre shteteve, të cilat, burim kryesor të ekonomisë dhe mirëqenies së tyre e kanë industrinë e armatimit. Poashtu, aty bëhen provat e para të efektivitetit të armëve të reja moderne, prodhim i të njëjtave shtete, si dhe trajnimi i ushtarëve të tyre, në funksion dhe me qëllim të “matjes së muskujve” në mes fuqive të mëdha, apo se, thënë më saktë, në mes kriminelëve dhe terroristëve më të mëdhenj botërorë. Përreth sasive marramendëse të armatimit konvencional që është përdorur në vitet e fundit në Lindjen e Mesme në përgjithësi, si dhe në Siri në veçanti, tragjedia më e madhe është se atje (në Siri) po përdoren të gjitha llojet e armatimit të ndaluar me norma dhe konventa ndërkombëtare, siç janë: bombat e napalmit, bombat e thërrmijave, gazet helmuese, armët kimike, uraniumi i varfëruar, e çka jo tjetër. E, kulmi i gjithë kësaj është edhe përdorimi i “armës” së urisë kundër popullatës së tërë.
Tashmë dihet botërisht se lufta në Siri, përreth tentativave që të portretizohet si luftë civile, ajo në realitet nuk është e tillë, porse është “luftë e ftohtë” në mes fuqive dhe palëve të ndryshme rajonale dhe botërore, në kurriz të popullatës së pafajshme civile. Kështu, përkrah regjimit gjakpirës të Asadit si dhe bandave dhe grupeve tjera terroriste që e përkrahin atë, dhe përkrah bandave kriminale-terroriste të të ashtuquajturit ISIS, shkaktarë dhe pjesëtarë të krimit, gjenocidit, masakrave dhe holokaustit që po ushtrohet ndaj popullit të pafajshëm sirian janë edhe shumë shtete, të cilat në emër të “luftës kundër terrorizmit”, po ushtrojnë terror sistematik të përmasave gjenocidale ndaj popullatës së pafajshme civile. Poashtu, këtu nuk mund të amnistohen as edhe organizatat ndërkombëtare, siç është Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili duke qenë peng i vetos së fuqive të mëdha, përpos që dështoi në mbrojtjen e popullit sirian nga krimi dhe gjenocidi, i njëjti Këshill nuk arriti të ofrojë as ndihmën minimale në ushqim dhe barëra për qytetet dhe vendbanimet siriane të rrethuara nga regjimi fashist sirian dhe aleatët e tij, vende këto në të cilat njerëzit vdesin nga uria dhe sëmundjet!
Madje, nuk mund të mohojmë edhe faktin se, pjesëtarë të këtij krimi dhe gjenocidi jemi të gjithë ne, si pjesë e opinionit të përgjithshëm botëror si dhe si anëtarë të komunitetit ndërkombëtar, në saje të indiferencës tonë! Kjo luftë, që nga fillimi i saj (para 6 vitesh), në trajektoren e intensitetit dhe humbjes së jetëve të pafajshme ka shënuar rritje të vazhdueshme. Madje, aq sa shtohet intensiteti i krimit dhe gjenocidit, si dhe, sa më shumë që del në pah involvimi i palëve të jashtme, po aq imponohet terr informativ rreth ngjarjeve, sa që, tashmë, kemi arritur në një situatë kur, Siria nuk paraqet më lajm; ndërsa, pamjet rrëqethëse të cilat dokumentojnë tragjedinë e njeriut sirian janë shndërruar në normalitet dhe përditshmëri! Përballë kësaj tragjedie të përmasave apokaliptike, njerëzimi duket se ka vendosur të heshtë dhe të mos bëzan! E, heshtja, në momentet kur kërkohet prononcim, juridikisht por edhe praktikisht, konsiderohet pëlqim! Në saje të kësaj që u tha, Siria, përpos që është bërë sinonim i varrezave masive, ajo, simbolizon edhe “varrin” e ndërgjegjes njerëzore!
Andaj, për ata që ju ka mbet pak memorie e kthjellët, pak zemër e pastër, si dhe pak ndërgjegje e gjallë, këto duhet të jenë momente kërkimi falje prej Zotit për dobësinë dhe indiferencën; e, në paçin guxim dhe fytyrë, duhet lutur Zotin për mëshirë dhe ndihmë, para së gjithash për vetveten, si individë e kolektiv, e s’do mend edhe për gjithë të dobëtit dhe atyre që ju bëhet padrejtësi! Ndërsa, ata të cilët vënë në shënjestër fëmijërinë e pafajshme, si dhe të gjithë ata të cilët mundohen të ndërtojnë mirëqenien e tyre mbi vuajtjet e të tjerëve, herët apo vonë, këto krime do të determinojnë vetëzhdukjen e tyre, dhe se gjaku i njomë i atyre fëmijëve do të shndërrohet në mallkim, i cili do t’i ndjek ata si hije dhe mjegull e zezë në jetën e kësaj bote, ndërsa, ndëshkimi i Zotit për to në Botën Tjetër të Llogaridhënies do të jetë edhe më i madh! O Zot, na fal neve, ndihmoji të dobëtit dhe atyre ndaj të cilëve bëhet padrejtësi, si dhe shkatërroji zullumqarët…