Evis HALILI
Shkup, 9 nëntor – Skandali në edicionin e sivjetshëm të Festivalit të Teatrit Shqiptar të Dibrës u platit në heshtje, me mbylljen e detyruar dy ditë përpara përfundimit e të ftuar që çdo ditë udhëtonin në relacionin Dibër-Veleshtë -Dibër, shkruan gazeta KOHA. As komuna, e cila refuzoi të përmbushte detyrimin financiar kundrejt këtij manifestimi, e as Ministria e Kulturës, e cila nuk denjoi të merrte parasysh kërkesën për rishikimin e buxhetit që i akordon këtij projekti me interes nacional, nuk reaguan në kohë për të shmangur dështimin e një prej manifestimeve më tradicionale të kulturës shqiptare, por as për të marrë pjesën e përgjegjësisë. Janë vetëm 500 mijë denarë shuma e cila çdo vit ndahet nga Ministria e Kulturës, ndërsa komuna zakonisht po ashtu ndan një pjesë nga buxheti (350 mijë denarë), gjë që këtë vit nuk e bëri. Drejtori i Festivalit, Ylber Nuredini, pohon për KOHA se ky ka qenë një edicioneve që u zhvillua në formën më të keqe të mundshme, sa i takon “betejës” për të mbijetuar çdo ditë dhe peripecive për të gjetur sponsorë në momentet e fundit. Kur thotë se ky festival duhet mbështetur, jo vetëm për hir të një publiku që mezi e pret një ngjarje të tillë dhe mirëpret çdo shfaqje e komunikim me artistët e të ftuarit, por edhe se kontributi që sjell për artin dhe kulturën në përgjithësi vazhdimisht vlerësohet nga njerëzit e teatrit.
“U bënë 16 vite që funksionojmë si festival serioz, por fatkeqësisht mbështetjen institucionale e kemi pasur në kufijtë minimalë. Nuk është çështje se e them unë se ky festival është i mirë dhe ia vlen të përkrahet, e thonë të tjerët, kritikët nga vendi dhe jashtë, artistë shqiptarë e maqedonas, madje edhe trupa e aktorëve të Prilepit na thanë se si festival jeni edhe më i mirë sesa “Vojdan Cërnodrinski”. Por, fatkeqësia qëndron se asgjë nuk merret seriozisht dhe parasysh, as kur hartohen politikat kulturore dhe as kur ndahet buxheti. Janë lidhjet partiake ato të cilat vendosin hapjen dhe shuarjen e festivaleve, caktimin e buxheteve për to. Për participimin e komunës vitin e kaluar u desh të bënim grevë urie për të marrë pjesën që na takonte, ndërsa nga Ministria e Kulturës praktika e injorimit vazhdon. As ish ministrja nuk bëri asgjë, por as ministri i ri nuk ktheu asnjë përgjigje për kërkesat që i kam drejtuar, që mund ta kuptoj si injorim total ndaj problemeve të këtij festivali”, thotë Nuredini.
Edicioni i 16-të u mbyll në natën e pestë, ndërsa këtë vit ka qenë hera e parë që as të ftuarit të mos mund të akomodoheshin brenda qytetit, por kanë qëndruar në një hotel në fshatin e Strugës Veleshtë. Nuredini thuajse çdo vit ka kërkuar nga Ministria e Kulturës ndryshimin e shumës që akordon çdo vit, si të pamjaftueshme për të siguruar minimumin e nevojave. Zgripci financiar i festivalit shihet tek katandisja e shpërblimeve për çmimet që ndahen. Nëse vitet e para shpërblimi për çmimin e parë ka qene 1500 euro, kjo shifër ka arritur në 150 euro. Kanë qenë donatorët nga vendi dhe bashkëqytetarët nga SHBA që kanë mundësuar mbijetesën e festivalit dhe realizimin e edicionit të sivjetshëm. Tek sponsorët privat, Nuredini shpreson edhe për vitin e ardhshëm.
“Festivali do të rrojë, nuk do të shuhet, edhe nëse Komuna apo Ministria nuk na mbështesin. Për edicionin e radhës do t’i siguroj që në mars fondet. Por, kjo praktikë e moskomunikimit duhet të ndërpritet, qoftë edhe kur është në baza personale, pasi ky festival nuk i takon një njeriu, por është festival për një publik aq të veçantë, siç janë dibranët. Nuk kam asgjë kundër që të hapen festivale edhe në fshatra, pasi festivalet nuk bëhen në qendra të mëdha, por periferi, por të financohen si duhet dhe ashtu si e meritojnë”, thotë drejtori Nuredini.
Në buxhetin e vitit 2017 Ministria e Kulturës miratoi më shumë projekte në sferën e artit dramatik, edhe pse, sipas tyre, rritja e numrit të festivaleve të reja, nuk do të dëmtonte buxhetin që u rrit proporcionalisht me numrin e projekteve dhe festivaleve. Por, që në fakt nuk ndodhi me Festivalin e Dibrës. Edhe një tjetër festival, ai i Tetovës, që realizohet prej pak vitesh iu përgjysmua buxheti si pasojë e borxheve, ndërsa të tjerat u financuan me shuma relativisht të vogla. (koha.mk)