Merr fund kriza e Terek Groznit. Ekipi ku luajnë tre futbollistët shqiptarë në Rusi, kishte më shumë se katër muaj që nuk fitonte një ndeshje, duke humbur apo barazuar 10 takime radhazi mes sfidash zyrtare dhe miqësoresh. Kjo kishte bërë që skuadra të kalonte në krizë të plotë dhe të humbte disa pozicione në tabelën e klasifikimit. Kësaj krize i ka ardhur fundit sot, me fitoren 3-1 ndaj Arsenal Tula, ku protagonist me gol ishte edhe Bernard Berisha. Ndeshjen e nisi si titullar vetëm Balaj, i cili provoi në të gjitha mënyrat të gjente rrugën e rrjetës në këtë duel, por ishte i pafat. Në minutën e 71-të, sulmuesi la fushën e lojës, për t’u zëvendësuar nga Mbengue, ndërsa 4 minuta më vonë, në fushë hyri edhe Bernard Berisha. Mesfushorit iu deshën pak minuta për të treguar formën e tij dhe në shtesën e takimit shënoi golin e rezultatit përfundimtar 3-1 që i dha sigurinë e fitores ekipit të Terek. Ky ishte goli i parë për Berishën me fanellën e Terek Groznit, skuadër të cilës iu bashkua gjatë merkatos së janarit.