Studenti nga Shkupi, Jeton Salijii tha për gazetën KOHA se studentët gjatë sezonit veror do të duhet të presin në turmat e njerëzve të mbledhur në një stacion në temperatura të larta dhe nga era e keqe nga koshat e plehrave të thyer. Ndërkaq, diku nuk ka tabela elektronike informuese përmes të cilave qytetarët informohen për ardhjen e autobusëve, e diku, ekranet nuk funksionojnë
Anëmsha SHABANI
Shkup, 9 maj – Qytetarët që përdorin transportin publik të qytetit çdo ditë janë dëshmitarë të gjendjes së stacioneve të autobusëve në të gjithë qytetin. Disa prej tyre kanë xhama të njollosur dhe të lyer, disa nuk kanë tenda, disa kanë stola dhe shumica kanë kosha plehrash të thyer. Diku nuk ka tabela elektronike informuese përmes të cilave qytetarët informohen për ardhjen e autobusëve, e diku, ekranet nuk funksionojnë. Ndërkohë, qytetarët për gazetën KOHA ankohen se në shiun më të vogël, nuk kanë mundësi se ku të strehohen, pasi që shumica e stacionove nuk kanë tenda. “Gjithmonë njëjtë, fatkeqësisht. Kohëve të fundit kemi pasur shumë shi, nuk kishim mundësi strehimi pasi që nuk ka tenda. Nëpër shi detyrohemi që të presim autobusë pa e ditur se kur do vij, sepse as tabelat elektronike nuk funksionojnë”, tha një qytetare e Shkupit.
Ndërkaq, NQP “Shkup” ka kohë që nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet për rindërtimin e stacioneve të dëmtuara, së paku nuk dihet për opinionin. Nëse nuk restaurohen, duhet të paktën të pastrohen herë pas here dhe të rregullohen disa defekte më të vogla që nuk kërkojnë kosto të mëdha financiare.
Rikonstruksioni i ndalesave, gjatë të cilit zëvendësimi i plotë i pajisjeve me një të re, filloi dhjetë vjet më parë. Më pas strehët e vjetra plastike në formë kërpudhash u zëvendësuan me të reja, në vend të gardheve të rrënuara të plastikës jeshile, vendosën xhama, të cilat tashmë janë pothuajse kudo të njollosura dhe nuk pastrohen kurrë.
Megjithatë, tani jemi në prag të stinës së verës, pas dy muajve do të kemi temperatura shumë të larta, ndërsa për qytetarët sërish është i njëjti problem. Studenti nga Shkupi, Jeton Saliji tha për gazetën KOHA se studentët gjatë sezonit veror do të duhet të presin në turmat e njerëzve të mbledhur në një stacion në temperatura të larta dhe nga era e keqe nga koshat e plehrave të thyer. “Problemi nuk qëndron vetëm kur kemi kohë me shi, por edhe tani pasi të hyjmë në sezonin veror do të shohim shumë njerëz të mbledhur nëpër stacione. Ndodh shpesh që nuk ka vend për studentët, detyrohen të shkojnë në këmbë, apo me taksi. Si shkak i mungesës së tendave në stacione, ne presim në diell”, theksoi ai.
Saliji shtoi se përpos studentëve edhe mosha e tretë po e vuan këtë rrëmujë, ku gjatë verës ka shumë raste kur të moshuarit i humbin ndjenjat nga nxehti i madh, turma e njerëzve në autobusë dhe nga era e keqe nga koshet e plehrave të thyer.
Ndër të tjera, projekti për ndërrimin e pajisjeve në stacionet e autobusëve është financuar nga buxheti i Qytetit të Shkupit, ka kushtuar 77 milionë denarë dhe ka filluar të realizohet në vitin 2013, ndërsa ka përfunduar në vitin 2017, gjatë të cilit janë rregulluar gjithsej 277 stacione. Që atëherë edhe këto pajisje kanë dalë jashtë përdorimit dhe nuk ka njoftim nga NQP “Shkup” se nëse do të bëhet ndonjë rikonstruksion i stacioneve ekzistuese. (koha.mk)