Ish-komandanti i Aleancës veriatlantike, gjenerali Xhejms Stavridis, në deklaratë për Zërin e Amerikës theksoi se Maqedonia është shteti i ardhshëm i cili duhet t’i bashkangjitet NATO-s. “Shpresoj se Greqia do të jetë në mundësi të punojë me Maqedoninë në zgjidhjen e kontestit me emrin, me çka do të hapet dera që Maqedonia të hyjë në NATO. Mendoj se Maqedonia është shteti i ardhshëm që do t’i bashkangjitet Aleancës”, deklaroi gjenerali Stavridis.
Kjo, sipas tij, do të ishte hapi i ardhshëm drejt bashkimit dhe prëforcimit të Ballkanit. Zëri i Amerikës përkujton se edhe nënpresidenti i SHBA-së, Majk Pens, në emër të presidentit Donald Tramp, në fillim të muajit, në bisedë telefonike me kryeministrin Zoran Zaev, e theksoi mbështetjen e SHBA-së për integrimin euroatlantik të Maqedonisë.
“Pens theksoi se SHBA-ja edhe më tutje e mbështet aspiratën euroatlantike ndaj Maqedonisë, dhe e inkurajoi Zaevin t’u japë prioritet reformave, të cilat do ta përshpejtojnë rrugën e saj në atë drejtim”, kumtoi atëherë Shtëpia e Bardhë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas zgjedhjes së Qeverisë së re, porositi që shteti t’i zbatojë reformat e nevojshme, përfshirë sundimin e së drejtës, me qëllim që ta përshpejtojë rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik. “Siç po përparon Shkupi, NATO-ja do të vazhdojë të sigurojë mbështetje, përmes zyres së saj në kryeqytet”, tha Stoltenberg.