Urim HASIPI
Tetovë, 21 prill – Studimi i fundit i mirëfilltë për komunikacionin në Tetovë dhe rrethinë, është bërë në kohën e ish Jugosllavisë, edhe atë në Beograd. Prej atëherë e këndej, mungon një studim për këtë qytet të stërngarkuar nga komunikacioni, me rrugë të ngushta dhe numër enorm të veturave. Kështu thonë për KOHA ekspertët e komunikacionit, të cilët merren me problematikën e komunikacionit në qytetin e Tetovës. “Për rregullimin e komunikacionit duhet një studim i mirëfilltë, sepse studimi i fundit që është bërë daton prej vitit 1979 deri në vitin 1981, ndërsa botimi i studimit është bërë nga Instituti i Beogradit diku në vitin 1982, që do të thotë se 35 vite Tetova nuk ka studim të mirëfilltë të komunikacionit”, thotë Elmir Mustafai, ekspert i komunikacionit. Sipas tij, prej atëherë e deri më tani kanë ndryshuar rrethanat dhe Tetova bashkë me rrethinën, tashmë ka numër të dhjetëfishuar të veturave dhe numër të rritur të banorëve që jetojnë brenda qytetit. “Në atë kohë kur është bërë studimi ka pasur 150 mijë banorë dhe tashmë janë 200 mijë banorë. Pra për 25 për qind është rritur numri i banorëve. Në atë kohë kemi pasur 3 mijë automjete, kurse tani kemi 30 mijë vetura.
Në ndërkohë, sa i përket hapjes së rrugëve të reja, zgjerimit të atyre aktuale, nuk ka ndonjë ndryshim”, deklaroi Mustafai. Por, në këtë drejtim, sipas ekspertëve, Tetovës i nevojitet urgjentisht hapja e bulevardeve të reja, që do të mundësonte një komunikacion më të mirë dhe pa probleme. “Për rregullimin e komunikacionit, primar është ndërtimi dhe hapja e bulvardeve, siç është ai i Ilindenit te Posta e qytetit, bulevardi Bllagoja Toska, i cili ka ngecur për shkak të shpronësimit dhe dihet se më shumë kushton shpronësimi se sa vet ndërtimi i bulevardit. Po ashtu është paraparë edhe ndërtimi i një bulevardi afër qendrës sportive, në drejtim të Kazermës së Tetovës si dhe rregullimi i rreth-rrotullimit në bulevardin Vidoja Smilevski Bato apo që njihet si rruga industriale”, tha për KOHA, Elmir Mustafai. Përndryshe në Tetovë, më problematike vazhdon të jetë rruga industriale, ku krahas kaosit po ashtu kohëve të fundit janë regjistruar edhe disa aksidente me këmbësorë. Rritja enorme e numrit të automjeteve të rrugët e Tetovës, moszgjerimi i rrugëve dekada me radhë, mospasja e vendeve të mjaftueshme të parkimit ka bërë që Tetovë me rrethinë të jetë arenë e vërtetë e aksidenteve të trafiku në këtë pjesë të qytetit. Njohës të rrethanave të komunikacionit pohojnë se Tetova është e stërngakuar me vetura në këto dhjetë vitet e fundit, kurse nuk janë hapur rrugë të reja dhe i tërë komunikacioni zhvillohet në të njëjtat rrugë si edhe më herët. “Numri i veturave në rrugët e Tetovës është rritur dukshëm kurse nga ana tjetër nuk është hapur asnjë rrugë e re apo ato që janë funksionale të zgjerohen. Lëvizja e veturave është përqendruar në rrugët që çojnë në qendër të qytetit. Ka pasur paralajmërime se do të hapet rruga Bllagoja Toska, e cila do të shkarkonte komunikacionin nga rrugët kryesore megjithatë deri më tash përveç premtimeve nuk është bërë asgjë në teren”, thotë Vullnet Palloshi, profesor universitarë. Kësisoj rrugët e qytetit të Tetovës dhe rrugët regjionale janë bërë tepër të pasigurta për qarkullim, ndërsa policia ka bërë sërish apel që pjesëmarrësit në komunikacion të kenë shumë kujdes.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara