Kërçovë 9 korrik – Takimi poetik ndërkombëtar “Hyjnesha Ilire Thana” ka mbyllur siparin dhe poetët janë përcjellur për në vendlindjet e tyre. Përmbi 40 poetë, të ardhur nga të gjitha anët, në Shtëpinë e Arteve në Knezhinë të Kërçovës shpalosën për dy net me radhë vargjet e tyre, këmbyen përvoja, krijuan lidhje të reja, shpalosën veprat e tyre. Publiku i fjalës së shkruar gjatë këtyre tre ditëve pati mundësinë të njihet me vlerat dhe të arriturat në fushën e letërsisë.
Për të shpalosur sekuenca nga vargjet e tyre në Kërçovë kishin zbarkuar Reshat Sahitaj (kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë), Behare Rexhepi nga Belgjika, Seveme Fetiqi nga Gjermania, Anila Karapidou, Viviane Horieti, Bardha Mançe, Mimoza Osmani, Dhimitër Nica nga Greqia, Farida Ramadani nga Shkodra, Viktor Gjikolaj nga Lezha, Riza Çato nga Malëshova, Agim Bajrami e Vladimir Muça nga Durrësi, Manushaqe Toromani, Nexhi Baushi, Eliverta Kanina, Mark Simoni, Lola Shehi, Agim Xheka nga Tirana, Mirela Robo-Papuçiu nga Fieri, Ligor Shyti dhe Anila Qiriazi-Mihali nga Përmeti.
Në shtëpinë e Artit dhe zemrën e hapur dhe sofrën e shtruar të Komunës së Kërçovës, kryetarit të saj Fatmir Deharit, që gjithnjë ka ditur të jetë streha e përhershme e miqve të Hyjneshës Thana dhe e përkrahës i denjë i Klubit të shkrimtarëve shqiptarë të Kërçovës erdhën edhe poetët nga Kosova kësaj radhe të shoqëruar edhe nga poetja e re Mirsada Krasniqi nga Fushë Kosova, si Flora Peci nga Mitrovica Dan Ibrahimi nga Prishtina, Hajdin Morina nga Klina, dhe Asllan Qyqalla nga Fushë Kosova, pastaj poetët Kalosh Çeliku nga Shkupi, Burhanedin Xhemaili nga Kumanova, Alide Lloga nga Struga, dhe Ejup Ajdini nga Tetova. Gjatë këtyre takimeve, merrnin pjesë edhe anëtarë të klubit letrar “Kitka” të Kërçovës, të udhëhequr nga Olivera Shirgoska, si Lidija Avramoska, Vaska Trishoska dhe Alekso Trishoski. Takimet u hapën të premten në mbrëmje dhe përfunduan gjatë të dielës në mbrëmje, ku Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë “Penestia”, bëri gjithçka që mysafirët të ndjehen mirë në çerdhen e Uskanës së lashtë.
Në hapjen e siparit kryetari i KShSh “Penestia” Adem Xheladini theksoi se “tanimë këto takime kanë marrë dhenë dhe Kërçova ndjehet vërtetë e përkundur në djepin e poezisë. Faleminderit për përkrahjen kryetarit të Komunës Fatmir Deharit dhe strukturave të këtij institucioni, të cilët për plot gjashtë vite kanë qenë aleatët tanë më fisnikë dhe më besnikë. Nuk duhet lënë anash edh e përkrahja e Ministrisë së Kulturës, e cila pjesërisht mbështet takimet tona. Fjala e shkruar nga Kërçova, përmes penës së poetëve të ardhur nga gjithandej po merr dhenë dhe tashmë Kërçova po shndërrohet në djep të këmbimit të kulturave edhe në përmasa ndërkombëtare”, theksoi më tutje ai.
Ky rezultat vjen si angazhim i vazhdueshëm i anëtarëve të vyeshëm të KShSh “Penestia”, siç janë Xhelal Ademi, Ibraim Koça, Mirije Vrangalla, Xhemile Adili, Miranda Kadriu, Lirie Asani, Nazif Selimi, Hava Ajdini, Sulejman Veliu, Marigonë Xhelili, Nurie Emrullai, Jonida Jusufi, Leontina Fazliu dhe të tjerëve. Gjatë natës së parë u bë prezentimi i poetëve pjesëmarrës me recitim të vargjeve poetike nga veprat e tyre letrare ndërsa gjatë ditës së shtunë poetët vizituan edhe veçoritë e rrethinës së Kërçovës si QP “Nëna Shqiptare”, varrin e pishtarit të arsimit shqip të kësaj ane Pertef Therepelit, monumentin e Emin Çelikut, Kalanë e Kërçovës si dhe bënë një shëtitje nëpër vetë qytetin e Kërçovës. Gjatë mbrëmjes në foajenë e Shtëpisë së Arteve, ku morën pjesë edhe qytetarë të interesuar u hap edhe ekspozita me fotografi nga autorja e talentuar Viviane Horieti nga Athina e Greqisë.