Shkup, 7 mars – Gjykimi për lëndën “Talir” të Prokurorisë speciale publike anulohet për 2 prill për shkak të mungesës së mbrojtësit të subjektit juridik, VMRO-DPMNE.
“Talir” i dedikohet financimit joligjor të partisë VMRO-DPMNE dhe si përfaqësues i saj në seancën e sotme ka marrë pjesë zëdhënësi Naum Stoillkovski i cili nga gjyqi ka kërkuar anulimin e seancës së sotme pasi siç tha, “nuk dëshiron të paraqitet pa përfaqësues juridik për shkak të mungesës së avokatit të subjektit juridik që e përfaqëson”.
Gjykatësi Osman Shabani tha se seanca e sotme do të anulohet, por ka paralajmëruar se në të ardhmen anulime të këtilla nuk do të jenë të pranueshme.
“Ju paralajmëroj që të planifikoni obligimet. I dini terminët. Nuk do të pranoj anulim për çfarëdo arsye. Çdo shtyrje do të sanksionohet, vetëm forcë madhore do të mund ta anulojë”, ka thënë Shabani.
Në këtë rast të akuzuar janë Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski të cilët ngarkohen për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit” dhe “larje parash”, si dhe Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska të akuzuar vetëm për veprën “larje parash”. Për veprën e njëjtë, si subjekt juridik me aktakuzë është përfshirë edhe VMRO-DPMNE.
Seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarit Ilija Dimovski, sepse si deputet dhe shef i delegacionit kuvendor në Asamblenë parlamentare të NATO-s mori pjesë në takimin e përbashkët të komiteteve në Bruksel.
Elzabeta Çingarovska nuk do të gjykohet sepse ajo u mor vesh me PSP-në, pranoi fajin dhe mori dënim me kusht prej dy viteve, i cili nuk do të ekzekutohet nëse në pesë vitet në vijim nuk bën vepër tjetër penale.
Sipas aktakuzës, ata në mënyrë të paligjshme morën së paku 4,6 milionë euro për partinë, e më pas organizuan që ato para të paguhen në xhiro-llogari të partisë përmes fletë-pagesave në emër të njerëzve të ndryshëm.
PSP solli edhe një aktakuzë për lëndën “Talir” që ka të bëjë me ndërtimin e paligjshëm në selinë e partisë.