Këtë fundjavë do të shkruhet historia e UFC-së, teksa për herë të parë do të jepet titulli kampion bote në artet marciale mikse në peshën “pupël” për femra, ku për titullin do të duelojnë Holly Holm dhe Germaine de Randamie. Një nga ikonat e këtij sporti që ka patur shansin të duelojë për këtë titull kampion është edhe Miesha Tate, që ishte kampione e botës në peshën e lehtë para se t’i dorëzonte titullin Amanda Nunes. Edhe rikthimi dhe sfida e fundit ndaj Raquel Pennington ishte një dështim për Tate, që pas këtyre dy humbjeve vendosi të tërhiqej nga oktagoni. “Nuk e di se kush do ta fitojë atë sfidë, nuk jam interesuar shumë, pasi kohët e fundit kam humbur disi ritmin e UFC-së. Tashmë jam tërhequr dhe jam e lumtur me jetën që po bëj”, tha Miesha Tate, që nuk duelon që prej UFC-205 (12 nëntor 2016).
Tate është një sportiste që e njeh mirë Holm, pasi asaj i rrëmbeu titullin kampion në mars të vitit të kaluar. “Gjatë kësaj periudhe pa ndeshje kam patur shansin të zbuloj më mirë veten time, të njoh më shumë Mieshën që nuk duelon dhe kjo më pëlqen. Nuk kam asnjë plan për t’iu rikthyer sërish dueleve në kafaz, apo të kem dëshirë për të parë ndonjë ndeshje. E pranoj që jeta ime ka ndryshuar në mënyrë drastike, nuk mendoj më si më parë dhe e ndjej që kam ndryshuar”, tha Tate, që nuk tundohet as nga fakti nëse do t’i jepej mundësia të duelonte sërish për titullin kampion, në cilëndo peshë qoftë ajo. “Tani dua të jem vetja ime. Mund ta gjej veten në çdo peshë, të lehtë apo “pupël”, por në mendjen time nuk ka më asnjë vend për përballje”, u shpreh ikona e UFC-së, Miesha Tate.