Sipas gazetës “Marca”, takimi mes Luka Modric dhe Florentino Pérez, president i Real Madridit, ka çuar në një marrëveshje totale për vazhdimin e kontratës së mesfushorit kroat edhe për një sezon.
Sipas këtij burimi, marrëveshja do të zyrtarizohet sapo të gjitha dokumentet të jenë gati për nënshkrim. Lajmi për rinovimin e Modric, i cili do të mbushë 39 vjeç më 9 shtator, vjen vetëm një ditë pasi Toni Kroos, me të cilin kroati ka formuar një mesfushë legjendare, njoftoi se do “t’i varë këpucët në gozhdë”, në fund të këtij sezoni.
Luka Modric mbërriti te Real Madridi në vitin 2012 dhe prej asaj kohe ka arritur një rekord shumë të gjerë arritjesh. Këtë sezon, aktivizimi në formacionin startues nuk ka qenë aq i shpeshtë, por kur ka dalë në fushë ka treguar se vazhdon të ketë cilësi, çka e bën thelbësor në momentet kyçe të sezonit.
Rinovimi i tij vjen për të zbutur disi goditjen e shkaktuar nga njoftimi i Toni Kroos, të martën, për t’u tërhequr nga futbolli më 30 qershor. “Pensionimi” i gjermanit i detyroi drejtuesit e merenguesve të marrin një vendim të shpejtë në lidhje me Modric, me rrezikun e humbjes së dy pjesëve themelore të mesfushës së bardhë.