Urim HASIPI
Tetovë, 11 shkurt – Pasioni për ecje dhe ngjitje në majat më të larta, është një nga arsyet kryesore që ka shtyrë tetovarin Muhamet Alilin të themelojë Shoqatën e Alpinistëve “Alpin Guides”. Deri më tash ai këtë pasion e kishte realizuar vet me shokët në Zvicër dhe në Tetovë. Ndonëse profesioni i tij është një kontabiliteti dhe ndërtimtaria, megjithatë pikërisht për shkak të lodhjes dhe stresit, alpinizmin e sheh si relaksim por edhe për të eksploruar bukuritë që i ka fal natyra.
“Ideja për themelimin e shoqatës ishte që të gjej balancën e lodhjes fizike dhe psikike për të çliruar trurin nga stresi. Me prejardhje jam nga fshati Veshallë që ka shumë bjeshkë të bukura, por edhe disa vite kam jetuar në Zvicër ku zakonisht gjatë vikendit, jam marrë me këtë sport pas një jave me punë të lodhshme. Pas punës së lodhshme, duhej një qetësim, apo relaksim, diku pesë vite në mënyrë aktive jam marrë me Alpinizëm në Zvicër dhe këtu gjithsej në suaza të një amatorizmi. Më pas kuptova se kjo është edhe pasioni im”, tregon për gazetën KOHA, Alili.
Këtë javë Alili në Tetovë ka themeluar shoqatën e Alpinistëve “Alpin Guides”, e cila pa bërë një javë që kur u themelua, ka bërë jehonë të madhe në mesin e tetovarëve. “Nga dita e martë e deri më tani regjistruar 26 persona. Interesimi është shumë i madh, ndërsa qëllimi i themelimit të kësaj shoqate, është që të krijojmë një bazë të shëndoshë dhe një adresë prej nga do të organizohen ngjitjet dhe ecjet në bjeshkët e Sharrit e më gjerë”,vazhdon më tej rrëfimin e tij Alili. Derisa, pa kaluar një javë nga themelimi i kësaj shoqate,, do të organizohet ecja e parë zyrtare në kuadër të kësaj shoqate. “Ecja e parë do të jetë në Leshnicë të Tetovës, më 12 shkurt këtë të diel, kurse nisja bëhet në orën 6.45 minuta tek Teleferiku në dalje të Tetovës për në Kodrën e Diellit. Janë caktuar udhëheqësit, mjekët, ndërsa presim që të marrin pjesë mbi 120 persona. Krahas tetovarëve, kemi edhe 40 mysafir nga Ferizaj dhe qytete tjera të Kosovës. Poashtu mysafir do të kemi edhe nga Shqipëria”, thotë Alili.
Sipas Alilit, në muajin mars është planifikuar një ngjitje jashtë vendit, konkretisht në Shqipëri. “Në muajin mars do të organizojmë një turr në Shqipëri të quajtur ‘Ngjitje dimërore Majës së Jezerit’ apo të njohura si Alpet Shqiptare. Është një udhëtim i rrezikshëm, por është parapërgatitje për një turr tjetër në Elbrus 5700 metra dhe Kazbek 5200 metra lartësi mbidetare, në ish territoret Kaukaze të Bashkimit Sovjetik. Këtë organizim e bëjmë në bashkorganizim me një klub alpinizmi nga Beogradi. Me këtë klub kemi qenë bashkë në Itali (Grand Paradise 4061 metra) dhe në ‘Mont Blance’ në Francë 4810 metra”, përfundoi Alili.
Ai nënvizon se me këto organizime do të tregohet serioziteti dhe përkushtimi për këtë sport që krahas rekreacionit, poashtu edhe rinia do të shmanget nga jeta pasove nëpër lokale por për të eksploruar bukuritë e Malit Sharr, por edhe të bjeshkëve tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.