Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 korrik – Rritet në Maqedoni përqindja e të hollave që ndahen nga buxheti familjar vetëm për ushqim. Sipas analizave të Entit të Statistikës së Maqedonisë , në vitin 2014 janë harxhuar 37.2 për qind e të ardhurave për ushqim, ndërsa tre vite më vonë apo në vitin 2016 për ushqim janë harxhuar 40.7 për qind e të ardhurave mujore, shkruan gazeta KOHA. Me fjalë të tjera, përkundër rritjes së ulët të pagave, vazhdon në Maqedoni shtrenjtimi i jetesës për shkak se në periudhën e kaluar trevjeçare, vetëm kostoja e të hollave që një familje ndan për ushqim është rritur për 3.5 për qind. Nga ana tjetër, analizat tregojnë se bile 70 për qind e të punësuarve marrin pagë më të ulët se mesatarja prej 22 mijë denarë, ndërsa në mesatare stagnon rritja e pagave që në pesë vitet e kaluara është rritur me nga një për qind në vit.
Njëherazi, të dhënat statistikore tregojnë se bile dy të tretat e të hollave të amvisërive harxhohen për të paguar nevojat themelore siç janë ushqimi, banimi dhe veshmbathja. Për mirëqenien e dobët të qytetarëve në Maqedoni flet edhe fakti se blerja e ushqimit paraqet harxhimin më të madh në buxhet për të cilin harxhohet afër 41 për qind e të ardhurave mujore, ndërsa në shtetet e zhvilluara kjo përqindje lëviz prej 10-15 për qind. Sipas sociologut, Ilija Acevski, puna në të zezë, të hollat e mërgimtarëve si dhe solidariteti familjar pengojnë fundosjen më të madhe të mirëqenies, gjegjësisht e mbajnë deri diku në nivelin e standardin jetësor në Maqedoni.
“Te ne vite me radhë kemi ekonomi të lartë informale më të lartë se 30 për qind, si pjese e ekonomisë së rregullt, për shkak se mjaft qytetarë punojnë në të zezë që të sigurojnë një jetesë deri diku normale për familjen e tyre”, thotë për KOHA, Acevski.
Nga ana tjetër, një familje mesatare në Maqedoni harxhon më shumë të holla se sa fiton dhe atë vetëm për mbijetesë. Hendeku midis të ardhurave dhe nevojave, mbulohet nga burime shtesë, siç janë hyrja në borxh nëpër kredi apo kartela kreditore si dhe kursimit më të madh në jetën e përditshme.
Njëherazi analizat e Institutit Fajnens Think, tregojnë se gjysma e të punësuarve në Maqedoni marrin paga që nuk arrijnë as 200 euro, ndërsa gjysma tjetër marrin paga prej 200 deri 400 euro. Sipas analizave të Fajnens Think, bile 43 për qind e të punësuarve në Maqedoni marrin paga më të vogla se 12 mijë denarë, vetëm tetë për qind marrin paga më të mëdha se 25 mijë denarë, ndërsa gjysma e të punësuarve marrin paga prej 12 deri 25 mijë denarë. Nga ana tjetër, edhe pse paga e punëtorëve në Maqedoni janë rritur në dhjetë vitet e kaluara për 60 për qind, megjithatë ato akoma janë më të ulëtat në rajon. Analizat tregojnë se bile 70 për qind e të punësuarve marrin pagë më të ulët se mesatarja prej 22 mijë denarë, ndërsa në mesatare stagnon rritja e pagave që në pesë vitet e kaluara është rritur me nga një për qind në vit.
Në ndërkohë, një pjesë e madhe e familjeve në Maqedoni mezi kapërcen për çdo muaj hendekun midis të ardhurave dhe shpenzimeve të jetesës për shkak se fitojnë më pak se sa nevojitet të mbulojnë harxhimet mujore për jetesës. Shporta minimale sindikale, është e vlefshme 32 mijë denarë, ndërsa paga mesatare është 22 672 denarë. Hendeku midis të ardhurave dhe nevojave mbulohet përmes dërgesave të mërgimtarëve, kartelave kreditore, bujqësisë, ekonomisë
informale e kështu me radhë. Në vitet e kaluara shënon rritje niveli i borxheve të qytetarëve në banka ku më shumë se gjysma e borxheve ka të bëjë me borxhet për mbulimin e nevojave themelore si pagesa e llogarive, blerja për nevojat e amvisërive, kreditë konsumatore, pa të cilat vështirë mund të mendohet rinovimi i teknikës së bardhë si televizorit apo frigoriferit, pagesën e borxheve të mbetura dhe kësteve të ndryshme të kredive konsumatore. Kreditë për amvisëritë, gjegjësisht ato konsumatore, kreditë banesore apo minuset në kartelat kreditore tregojnë rritje si rrjedhojë e presionit të krizës ekonomike dhe tejkalimit të hendekut mes të ardhurave dhe harxhimeve mujore të familjeve. Këtë e dëshmon edhe statistika e Bankës Popullore të Maqedonisë, sipas së cilës vetëm në periudhën dhjetor 2015 deri në maj të vitit 2017 shënohet rritje e vazhdueshme e kredive të amvisërive dhe atë prej 120.832 milionë denarë në muajin e 12 të 2015-ës në 134.896 milionë denarë në muajin maj të vitit 2017. Me fjalë të tjera, për një periudhë prej gati dy vjet e gjysmë shënohet rritje e kredive të amvisërive për 170 milionë euro, gjegjësisht prej një miliardë e 965 milionë euro në dy miliardë e 139 milionë euro.
Ndryshe, sipas anketës së fundit, “konsumi i amvisërive në Republikën e Maqedonisë në vitin 2016”, me vetëm 5.7 për qind në tërësi i kënaqin nevojat e tyre, me 33,3 për qind kryesisht i kënaqin nevojat e tyre, me 37 për qind nuk i kënaqin nevojat e tyre dhe me afër 24 për qind në tërësi nuk i kënaqin nevojat e tyre me të ardhurat mujore të disponueshme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.