Tifozët e Liverpoolit kanë nisur ta ngacmojnë Gary Nevillen në rrjetet sociale. Legjenda e Manchester United vazhdon ta kritikojë shqiptarin, teksa ditë më parë e quajti “jo profesionist” për paraqitjet te Stoke City dhe atë se çfarë ndodhi gjatë gjithë sezonit 2017/18. Neville, madje kishte thënë se Shaqiri te Stoke ishte “Dembel”, lojtar që nuk interesohet shumë për skuadrën dhe nuk është asnjëherë në momentin e duhur. Por, shqiptari ia dëshmoi edhe njëherë të kundërtën legjendës së Unitedit, duke bërë paraqitje fantastike kundër Crvena Zvezdës në Anfield në Champions Legaue, ku Liverpooli fitoi me rezultat të thellë 4-0. Tifozët kanë shfrytëzuar këtë moment për ta ngacmuar Nevillen.
“Gary Neville nuk di asgjë për futboll”.
“Imagjinojeni, paguam për Shaqirin aq sa Sanchez merr për 6 muaj te Manchester United”.
“Gjëja më e mirë që ka bërë ndonjëherë Gary Neville është që e quajti Shaqirin dembel. Ai po i dëshmon të kundërtën”, – janë disa nga postimet e tifozëve në Twitter.
Shaqiri dhuroi një performancë brilante, aq sa bëri që i gjithë stadiumi të ngrihet në këmbë për ta duartrokitur kur doli nga loja në minutën e 68-të. Pas ndeshjes, 27-vjeçari shqiptar u lavdërua edhe nga trajneri gjerman, sipas të cilit “Shaqiri ishte gjithkund në fushë”.
“Shaqiri u përfshi në gjithçka. Është një lojtar shumë i mirë dhe kjo na ndihmoi. Mendoj se ai pati paraqitje shumë të mirë”, shtoi ai mes tjerash.