Në një studim të parë të këtij lloji, studiuesit në Universitetin e Kolumbias e kanë gjetur një lidhje në mes të ekspozimit ndaj ftalateve dhe funksionit depresiv të gjëndrave tiroide te vajzat e reja. Ftalatet janë një klasë e kimikateve të njohura për çrregullimin e sistemit endokrin dhe ato gjenden në shumë produkte të konsumit, duke përfshirë lodrat plastike, shampot dhe materialet për ndërtim shtëpiak. Studimi është i pari, i cili e vlerëson lidhjen mes ekspozimit të ftalatit dhe funksionit tiroid te fëmijët me kalimin e kohës, transmeton Koha.net. Rezultatet janë paraqitur në revistën Environment International. Problemet me tiroide janë më të përhapura te femrat sesa meshkujt, gjë që mund ta shpjegojë lidhjen midis ekspozimit të ftalateve dhe funksionimit të tiroides depresive në vajza. Studimet e mëparshme e kanë konstatuar një lidhje mes ekspozimit prenatal të ftalateve dhe një rreziku të IQ më të ulët në moshën 7-vjeçare, vonesës së zhvillimit mendor dhe motorik te fëmijët parashkollorë dhe astmës së fëmijërisë. “Tiroidet veprojnë si kontrollues kryesor i zhvillimit të trurit”, tha në një njoftim për shtyp, Pam Factor-Litvak, profesoreshë e Epidemiologjisë në Shkollën Mailman. “Hormonet tiroide e vendosin orarin, dhe nëse koha nuk është e sinkronizuar, mund të ketë pasoja të mëvonshme në tru. Pengesat në tiroide që i shohim në këtë studim, megjithëse bien brenda intervalit normal, mund t’i shpjegojnë disa nga problemet kognitive që i shohim te fëmijët e ekspozuar ndaj ftalateve dhe ne jemi duke e hetuar këtë aktualisht. Siç e dimë, nga plumbi, edhe ekspozimet e vogla mund ta bëjnë një ndryshim të madh”. Hulumtuesit në shkollën Mailman të Shëndetit Publik të Universitetit Columbia i kanë matur nivelet e pesë ftalateve dhe dy hormoneve tiroide nga 229 femra gjatë shtatzënisë dhe 229 fëmijë në moshën 3-vjeçare të regjistruar në Studimin e nënave dhe të të sapolindurve në Qendrën Columbia për Shëndetin Mjedisor të Fëmijëve. Nivelet më të ulëta të tiroksinës së lirë aktive të hormonit tiroid, ose FT4, ishin të lidhura me metabolite të ftalatit mono-n-butil ose MnBP, ftalatit mono izobutil ose MiBP, monobenzil ftalat ose MBzP dhe monoetil ftalat ose MEP te vajzat. Studiuesit zbuluan se ekspozimi prenatal ndaj ftalateve nuk ndikoi ndjeshëm në funksionimin e tiroideve në moshën 3-vjeçare, por ky funksion amësor i tiroideve mund ta kishte luajtur një rol, meqë fetusi i merr hormonet tiroide nëpërmjet nënës, përcjell Koha.net. Studimi tregoi se ekspozimi prenatal ndaj një metaboliti të Di (2-etilheksil) ftalat u shoqërua me nivele të larta të FT4, një gjetje kjo për të cilën ata thonë se sugjeron se ftalatet ndikojnë në funksionin e tiroides më ndryshe në varësi të moshës së ekspozimit. “Në të ardhmen, është e rëndësishme të mësojmë se çfarë bëjnë ftalatet për t’i dëmtuar fëmijët, si dhe rrugën nëpër të cilën ky dëm shkaktohet”, tha Factor-Litvak. “Qëllimi ynë kryesor është mbrojtja e shëndetit të gjeneratave të ardhshme”.