Laura PAPRANIKU
Shkup, 14 nëntor – Pavarësisht mundësive të kryerjes së fakultetit për tri vjet studimi, një numër i madh i atyre që diplomojnë me 180 ECTS kërkojnë të plotësojnë shkallën e arsimimit të lartë me 240 ECTS, pra të kenë një diplomë të plotë me arsim të lartë katërvjeçar, shkruan gazeta KOHA. Kjo tendencë vërehet në të dhënat për transferimin e studimeve nga një universitet në një universitet tjetër, brenda dhe jashtë vendit. Ka edhe raste kur studentët transferohen nga njëri fakultet në tjetrin, apo lëvizin në programet studimore brenda të njëjtës njësi akademike. Por lëvizje të këtilla nuk evidentohen si transferime, pasi nuk bëjnë pjesë as në kategorinë e studentëve të rinj dhe as të atyre që largohen nga një universitet i caktuar. Motivi për të cilin kandidatët tentojnë diplomën katërvjeçare, kanë të bëjnë kryesisht me lehtësimet që u krijon diploma me 240 ECTS gjatë punësimit apo vijimit të studimeve postdiplomike. Në kohën e globalizimit, ECTS, konkretisht mobiliteti i studimeve llogaritet si një vlerë sublime në kuadër të tendencave për krijimin e një hapësire të përbashkët evropiane të arsimit. Për këtë, universitetet janë çdo herë të hapura për transferimin e studimeve, qoftë duke pranuar kreditë (ECTS) që studentët kanë fituara në një universitet tjetër, qoftë duke u mundësuar ndërprerjen e studimeve. Në Universitetin e Tetovës, sikurse bëjnë të ditur nga zyra për çështje arsimore, transferimet dominohen nga kategoria e atyre studentëve që vijnë me 180 ECTS të fituara diku tjetër. “Viteve të fundit ka një numër të madh të studentëve që vijnë për të plotësuar shkallën e arsimit të lartë me 240 ECTS. Në përgjithësi, studimet tona janë katër vjeçare, kështu që për studime të njëjta, të cilat diku tjetër janë tre vjeçare, të interesuarit gjejnë një mundësi të mirë që të vijnë tek ne dhe të vazhdojnë studimet për tu pajisur në fund me një diplomë katër vjeçare, pra me 240 ECTS”, pohon për KOHA Ibrahim Neziri nga zyra për çështje arsimore në UT. Kuptohet, që të gjithë iu nënshtrohen rregullave të transferim të vlefshme për të gjithë, plotëson më tej ai. Në vit realizohen përafërsisht 350 transfere në UT. “Në afatin e parë, i cili ishte në fillim të vitit akademik, këtë vit u transferuan rreth 180 studentë, ndërsa do të ketë edhe një konkurs të dytë në muajin janar, para fillimit të semestrit veror”, tregon ai. Neziri thotë se është e vështirë të bëhet një kategorizim se nga cili shtet, universitete apo program studimor janë pjesa më e madhe e tyre, pasi lëvizjet janë variabile dhe jo çdo herë konstante. Megjithatë, ka disa studime si infermieria, stomatologia dhe mjekësia që në UT bëjnë diferencën, pra ku vërehet lëvizje më e madhe e studentëve në drejtim të atyre që vijnë këtu të vazhdojnë studimet në vitin e dytë, të tretë apo të katërt. Transfere të shpeshta shënohen gjithashtu edhe në fakultetin e juridikut, ekonomisë apo shkencave natyrore, kurse studentët që vijnë të vazhdojnë studimet këtu, janë kryesisht nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. “Por, ka edhe prej atyre studentëve që ndërpresin studimet në vit të dytë, të tretë apo të katër dhe që pastaj vazhdojnë studimet në ndonjë universitet apo shtet tjetër. Por mund të ndodh që të njëjtit të rikthehen përsëri këtu, pra të bëjnë një transferim të dytë dhe kjo është një e drejtë legjitime e cila duhet ti lejohet çdo studenti”, thotë Neziri, duke sqaruar se është e pamundur të menaxhohet saktësisht numri i atyre që transferohen nga UT-ja për në ndonjë universitet tjetër. “Ne kemi të dhëna për numrin e atyre që ndërpresin studimet tek ne, por jo edhe të dhëna se sa mund të rezultojë i suksesshëm transferimi i tyre diku tjetër. Mund të ndodh që kandidatët të transferohen në një universitet tjetër, pasi ndërpresin studimet tek ne, mirëpo mund të ndodhë që të mos transferohen askund. Mund të ndodh që pas një kohe të kthehen sërish këtu apo edhe ndoshta të mos i përfundojnë fare studimet. Prandaj nuk mund të flasim me shifra për transferimin në drejtim të ndërprerjes së studimeve tek neve dhe vazhdimit të studimeve diku tjetër”, sqaron Neziri. Por në çdo rast, numri i atyre që vijnë në UT është dukshëm më i madh se numri i atyre që largohen nga UT-ja. (koha.mk)