Omer XHAFERI
Shkup, 14 nëntor – Përveç sigurisë tokësore dhe asaj ajrore, Maqedonia si shtet, por edhe shoqëria duhet të angazhohet për rritjen e sigurisë digjitale. Ky qëndrim të hënën u prezantua nga ana e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, përfshi edhe Ministrinë e Mbrojtjes, duke theksuar se institucionet shtetërore, bizneset dhe sektori civil – duhet të bashkëpunojnë në për rritjen e “Sajber Sigurisë” (sigurisë digjitale). Dy përfaqësuesit e ministrive në fjalë, Damjan Mançevski dhe Radmilla Shekerinska, gjatë fjalimeve të tyre për sigurinë digjitale, thanë se trendet globale tregojnë qartë se si ekonomia dhe biznesi, po ashtu edhe strukturat e sigurisë shtetërore, mund të jenë cak i sulmeve digjitale. Me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë digjitale, ministri Mançevski nënvizoi se Bashkimi Evropian vitin e kaluar e miratoi Direktivën për shkallën e lartë të sigurisë për sistemet dhe rrjetet e informatave. Në këtë drejtim, ai shtoi se Maqedonia – si shtet kandidat për anëtarësim në BE, gjithashtu duhet ta harmonizojë legjislacionin e saj me atë të vendet të Evropës.
“Në radhë të parë, ne duhet të miratojmë një Ligj të ri për shkallë të lartë të sigurisë, të ndryshme nga ligjet tjera. Pastaj, ne duhet të vërtetojmë listën e operatorëve krucial në Maqedoni, të cilët ofrojnë shërbime të posaçme. Masat që duhet t’i ndërmarrin këto operatorë, janë minimizimi i ndikimeve nga sulmet digjitale. Ndërkohë, përmes debatit publik, duhet të vendosim themelimin e një apo më shumë organeve nacionale, detyrë e të cilëve do të jetë parandalimi i incidenteve kompjuterike. Siguria digjitale shikuar nga pikëpamjet më të hershme, nuk mund ta llogarisim vetëm si çështje teknike. Ne duhet të kuptojmë se prioritetet kanë ndryshuar, duhet të angazhohemi ta shohim edhe anën tjetër të hapësirës digjitale, e nevojshme është që sigurinë digjitale ta shohim si njërën prej qëllime kryesore strategjike për shtetin tonë. Ashtu siç ne e mbrojmë territorin tonë në tokë dhe ajër, doemos duhet të angazhohemi për mbrojtje edhe të hapësirës digjitale”, tha ministri Mançevski.
Sektorët publikë, siç janë shëndetësia, transporti, energjetike dhe financat – në debatin publik me temë “Politika e sajber sigurisë”, u tha se çdo ditë e më tepër janë bërë të varura nga rrjeti i internetit, respektivisht këto ndryshime kanë ndikuar në rritjen e rrezikut të sulmeve digjitale. Në diskutim, mes tjerash u theksua se shteti duhet në radhë parë të sigurojë privatësinë e qytetarëve dhe të dhënat e tyre dhe nga ana tjetër – sigurinë kombëtare. Kërcënimet digjitale si fenomen në rritje, paraqesin rrezik edhe për mediat dhe internet portalet, me çka e rrezikojnë lirinë e shprehjes, por edhe demokracinë në përgjithësi. Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, duke folur për sigurinë digjitale, tha se në botë ekzistojnë dy lloje të shteteve. Sipas saj, grupin e parë e përbëjnë shtetet, të cilët kanë qenë cak i sulmeve digjitale, dhe ato kanë njohuri për këto sulme, respektivisht shtetet tjera janë ato të cilët kanë qenë cak i sulmeve digjitale, por nuk e dinë se janë sulmuar në formë digjitale.
“Jemi të interesuar të veprojmë dhe të ndërmarrim aktivitete sa i përket sigurisë digjitale. Gjithashtu, jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një temë relativisht të re për shoqërinë tonë, por edhe ato që një kohë të gjatë e përcjellin këtë sferë, nuk i kanë të qarta shumë çështje. Rreziqet çdoherë janë një disa hapa para nesh. Fuqia e kësaj teme viteve të fundit ka kaluar nga duart e shteteve, në duart e shumë individëve, të cilët jo çdoherë kanë qëllime të mira. Çështjen e sigurisë në të kaluarën e afërt e kemi analizuar nga këndi i fuqive ushtarake, për shkak se realisht rreziku kanosej nga një fuqi tjetër ushtarake. Megjithatë, sot jemi dëshmitarë të digjitalizimit të plotë të konflikteve dhe krizave. Fatkeqësisht, si shtet ne ndonjëherë ngecim prapa këtyre proceseve. Sidoqoftë, institucionet thelbësore, siç është MPB, MSHIA dhe MM, janë dakorduar që të veprojnë bashkërisht në drejtim të krimit të një Strategjie për sigurinë digjitale në vendin tonë”, tha ministrja Shekerinska. Ndryshe, përfaqësuesit e MPB-së nga Sektori për krim kompjuterik, theksuan se gjatë periudhës së kaluar – ata kanë ndërmarrë një varg aksionesh kundër krimit digjital. Me këtë rast, ata thanë sesa më herët që denoncohet një krim i kësaj natyre, aq më shpejt mund të veprojnë dhe me këtë – t’i parandalojnë sulmet dhe keqpërdorimin e të dhënave personale. (koha.mk)