BDI ka humbur një mandat të deputetit nga rivotimi i të mërkurës, në një vendvotim njësinë e gjashtë zgjedhore. Ndërsa tani janë me mandate të njëjta me LSDM-në, 18. Analistët thonë se është shumë e vështirë të thuhet se cila është forca e dytë politike në Maqedoni
Xhenur ISENI
Shkup, 23 maj – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka humbur një mandat të deputetit nga rivotimi i të mërkurës, në një vendvotim njësinë e gjashtë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, bazuar në rezultatet e publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ). Një mandat më shumë të deputetit tani ka koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN. Në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshin pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut të banuar me shqiptarë, dy partitë tani kanë nga tetë deputet, apo gjithsej 16.
Rivotimi të mërkurën, më 22 maj, është zhvilluar në shtatë vendvotime ndërsa të drejtë vote kishin 4.513 qytetarë. Votimet në këto qendra votimi ishin anuluar pas konstatimit të parregullsive nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, e që ishin pranuar edhe nga Gjykata Administrative. Parregullsitë kishin të bëjnë kryesisht me gjetjen e më tepër fletëve të votimit nëpër kutitë e votimit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.
Por, këto pretendimet ishin kundërshtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim që kryeson atë që njihet si Fronti Evropian. Kjo partia akuzoi VMRO DPMNE-në, LSDM-në dhe koalicionin VLEN për “rivotim të kurdisur” me qëllim të, siç tha, marrjes së dy mandateve në këto dy njësi zgjedhore. BDI-ja gjatë rivotimit të së mërkurës ka arritur të ruajë numrin prej katër deputetëve në njësinë e pestë zgjedhore, të cilat i pretendonin VMRO-ja dhe LSDM-ja.
KSHZ-ja tha se partitë kanë të drejtë të ankesave dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave pritet të certifikon rezultatet përfundimtare, që pastaj të nisin afatet për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re, partisë fituese, në këtë rast VMRO DPMNE-së. Qeveria e re, sipas paralajmërimit të kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që pritet të marrë mandatin për formimin e ekzekutivit të ri, do të formohet nga partia e tij, koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që pjesë e ekzekutivit të ri të jetë edhe lëvizja “ZNAM”.
Nga VMRO DPMNE-ja presin që Qeveria e re të formohet më së voni deri në javën e parë të muajit qershor.
Analisti politik Bllagojçe Atanasoski tregon se pluhur politik është ngritur nga BDI, e cila kishte akuza për inxhiniering zgjedhor dhe pretendonte se është arritur marrëveshje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.
“E gjithë situata komentohet nga këndvështrimi se po bëhet gjithçka që BDI të mos jetë forca e dytë politike me 19 mandate të fituara parlamentare. Sipas disa normave kushtetuese dhe juridike, pushteti i dytë politik merr funksione të rëndësishme në legjislacionin juridik. Ka pasur një tension politik në opinion për rivotimin në të pestën dhe të gjashtën, por për mendimin tim kjo nuk do të ndikojë në rezultatet përfundimtare në formimin e qeverisë së ardhshme”, ka thënë Atanasovski.
Ndërkaq, sipas analistit politik Dame Çkatroski, VMRO-DPMNE i priste këto rezultate për të finalizuar koalicionin e tij qeveritar këtë fundjavë ose nga mesi i javës së kaluar.
“VLEN, si të gjitha partitë që do të bënin koalicion, tani merren më shumë me matematikë dhe konsultohen brenda partive dhe ekspertëve se cilat pozicione do të ishin interesante për ta. VMRO-DPMNE, nuk do të ndryshojë asgjë thelbësore edhe pas këtyre votave shtesë sepse ata tashmë kanë atë që do të jetë për ta dhe çfarë për të tjerët. Do të ishin më shumë negociata që do të koordinoheshin nga VMRO-DPMNE se kush sa do të merrnin por nuk do të jepnin nga pozicionet e tyre fikse”, ka deklaruar Dame Çkatroski, analist.
Ai thotë se është shumë e vështirë të thuhet se cila është forca e dytë politike në Maqedoni. “Por sigurisht që LSDM-ja dhe BDI-ja. Njëherë kanë humbur shanset për shkak të menaxhimit të keq të Zoran Zaevit që të dyja dhe për të qenë në të njëjtën listë. Besoj se koha do të tregojë se sa ka gabuar LSDM-ja në këtë çështje. Mbetet që LSDM dhe BDI të jenë së paku një opozitë e mirëkoordinuar”, shprehet Çkatroski.
Pritet që shpërndarja e kryetarëve të komisioneve që sipas Rregullores së Parlamentit i përkasin partive opozitare do të jetë “e ngushtë”. Kryetarët e Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit dhe të Komisionit për Financim dhe Buxhet propozohen nga radhët e deputetëve të opozitës. Mirëpo, duke pasur parasysh se LSDM dhe BDI kanë të njëjtin numër deputetësh, ndërsa në Rregullore nuk ka interpretim të llojit më shumë vota të fituara, por vetëm dispozitë që të zgjidhen deputetë nga opozita, pritet një “betejë” e ngushtë mes dy partive.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë në Parlamentin prej 120 ulëseve. Tani, BDI-ja ka gjithsej 18 deputetë, ndërsa koalicioni VLEN 14. Numrin më të madh të deputetëve e ka VMRO DPMNE-ja, 58, ndërsa LSDM-ja ka18. LSDM dhe BDI tani me numrin e njëjtë të deputetëve janë dy forcat e dyta më të mëdha në vend. (koha.mk)