Selami Cokaj 43 vjeç, nga Shoshani i Tropojës, dikur në listën e më të kërkuarve të Interpolit, u dëbua nga Britania e Madhe dhe u kthye sërish aty duke hapur një biznes fitimprurës në pronësi të tij. 43-vjeçari u dënua me 15 vite burg në vitin 1994 në Shqipëri pasi vrau një person me thikë dhe më pas dënimi u rrit në 20 vite për grabitje me armë. Pas 3 vitesh burg, Cokaj u arratis nga burgu i Shën Kollit në Lezhë dhe emigroi për në Britani duke përdorur emrin e rremë Valton Gashi. Ai u vendos në Mansfield, Notts, Nottinghamshire, ku hapi një lavazh makinash dhe takoi gruan e tij të ardhshme. E kaluara e tij u zbardh në vitin 2006 dhe pas një procesi 3-vjeçar ekstradimi ai u dëbua nga Britania e Madhe. Zyrtarët e dëbuan Cokajn në vitin 2009 pasi zbuluan se ishte arratisur nga burgu për mosshlyerjen e dënimit prej 20 vitesh në Shqipëri. Cokaj kësaj radhe gjeti mënyrën për t’i shpëtuar policëve të kufirit dhe tashmë po jeton nën emrin e tij të vërtetë së bashku me familjen e tij në një banesë me qira që e paguan 1500 £ në muaj, nën hundën e policëve britanikë. Ai ka në pronësi një lavazh makinash shumë fitimprurës në Oadby, Leicestershire, ku çmimi për larjen e çdo makine varion nga 15 paund dhe i sjell atij një përfitim vjetor deri në 40.000 paund në vit. “Është e pabesueshme se si ky njeri hyri përsëri në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo tregon se sa të dobëta janë kontrollet tona kufitare. Kushedi sa kriminelë të tjerë kanë hyrë në vendin tonë”, u shpreh Philiph Davies, një anëtar i parlamentit anglez. Një ligj britanik thotë se nënshtetasit e huaj të cilët kanë kryer më shumë se 4 vite burg, dëbohen automatikisht nga Mbretëria e Bashkuar. Mbetet akoma e paqartë mënyra e hyrjes së Cokajt në Mbretërinë e Bashkuar por ai nuk po bën asgjë për ta fshehur identitetin e tij.