Mesfushori kosovar Valon Behrami është i pari në listën e futbollistëve të kërkuar nga skuadra elitare e Italisë, Udinese. Kështu kanë raportuar mediumet në Itali.
“Behrami është i pari në listën e lojtarëve që dëshiron ta transferojë Udinese. Ka pasur edhe disa bisedime me ish-lojtarin e Napolit, i cili ka përvojë të madhe në fushë dhe jashtë saj”, shkruan “tuttoudinese.it”, përcjell Koha Ditore.
Behrami 32-vjeçar nuk është në planet e trajnerit të skuadrës angleze Watford për edicionin e ri, 2017/2018. Është lënë i lirë të kalojë në ndonjë klub tjetër ndonëse ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.
Interesim për reprezentuesin e Zvicrës ka shprehur edhe skuadra e Sionit. Më herët Behrami ka luajtur edhe për Hamburgun, Napolin, Fiorentinën, Lazion, West Ham Unitedin, Genoan, Veronan dhe Luganon.