Patriot LUMANI
Strugë, 3 maj – Kryetari i Komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni, nga afër ka inspektuar punimet për renovimin e urave në qendër të Strugës. Pas punimeve për shëtitoret e Drinit të Zi dhe nisjes së punimeve për rehabilitimin e urave në qendër të Strugës, gradualisht kjo pjesë e qytetit po merr një pamje dinjitoze, shkruan gazeta KOHA. Ura e Poezisë në Strugë është një nga urat që më së shumti i përmendet emri, kjo për efekt edhe të evenimentit të përvitshëm që zhvillohet aty siç janë Mbrëmjet Strugane të Poezisë, ku emra të njohur të letrave nga mbarë bota në vite kanë lexuar krijimet e tyre poetike. Por, nëse i largohesh rrafshit kulturor të këtij manifestimi dhe zbret në terrenin konkret, konstaton se Ura e Poezisë është në ditët e saja më të këqija. Edhe një tabelë që i tregonte emrin nuk është aty, rrethojave metalike të vendosura aty para shumë dekadave, u ka dalë ngjyra dhe nuk reflektojnë finesë, por të ngjasojnë me rrethoja të zakonshme pa asnjë shije estetike. Me pakë fjalë, ura është në ditët më të këqija të saja. Është e dukshme se ky objekt arkitektonik, i cili ka marr edhe dimensionin kulturor prej kur është ndërtuar, nuk ka parë asnjë ndërhyrje rrënjësore rinovuese që do të prezantonte atë më denjësisht jo vetëm në ditët kur zhvillohet manifestimi tradicional i poezisë, por gjatë gjithë vitit. Për shumë qytetar të Strugës nëse vetëm mjetet që hidhen për fishekzjarrë nga ana e MSP do të orientoheshin për sanimin e këtij objekti me kohë, ura do të ishte në gjendje më të mirë. Në lidhje më këtë situatë, nga Komuna e Strugës, në disa raste kanë thanë se janë vite të tëra që jo vetëm në “Urën e poezisë”, por edhe në urat e tjera të qytetit, nuk është investuar nga pushteti qendror. Vendorët thonë se i vetmi investim domethënës është ndërtimi i Urës së re të Drurit me iniciativën e Komunës, që u bë nëpërmjet një donacioni nga biznesmeni Mendi Qyra.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni, informon se përveç projekteve investuese përreth shëtitoreve të Drinit të Zi, sivjet urat e qytetit të Strugës do të rinovohen dhe do të marrin një pamje dinjitoze. Ai saktëson se brenda një afati të përcaktuar edhe urat e qytetit të Strugës do të ndryshojnë pamje, ashtu siç po ndryshon qendra e qytetit. Ura e Drurit, një donacion për qytetin e Strugës nga Kompania “Trim & Lum”, u përurua më 31 dhjetor të vitit të shkuar, duke marr një aprovim gati popullor nga qytetarët e Strugës të cilët e konsideruan si një simbol të qytetit jo vetëm për arkitekturën e saj, por edhe për impaktin social që ajo kishte në jetën e qytetit. Ura e Drurit, edhe pse që nga viti 2011 si rezultat i gjendjes së palakmueshme dhe degradimit u spostua, për struganët ajo mbeti një simbol, që i duhej rikthyer qytetit. (koha.mk)