Pas Ibrahim Rrugovës, në Kuvendin mbarëkombëtarë fjalën e mori Fran Berisha, i cili dha mendimin e tij për, siç tha ai, detyrat prioritare që duhet t’i kenë përfaqësuesit politik të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Në këtë drejtim, Fran Berisha, rëndësi të veçantë i kushtoi informimit të bashkësisë evropiane dhe amerikane mbi të vërtetën shqiptare. Informimi i faktorit ndërkombëtarë, sipas propozimit të Berishës, duhej të shtrohet si problem i çlirimit kombëtarë si tërësi dhe jo t’i ndajnë dhe t’i trajtojnë në mënyrë parciale nëpër republikat jugosllave. Ai tha se Jugosllavia për shqiptarët ka qenë dhe mbetet shtet robërues dhe pushtues dhe ajo tanimë ishte e dëshmuar, ndërsa për këtë, ai tha se nuk duhet të mbetet pa informuar asnjë shtet, institucion dhe parti politike evropiane dhe amerikane. Për të realizuar këtë, Fran Berisha, tha se duhej të shfrytëzohen shërbimet informative për të informuar të gjitha agjencitë informative më me zë në Europë dhe SHBA, të cilat do të njoftohen për problemet e shqiptarëve në Jugosllavi, si probleme të përgjithshme kombëtare pa lënë anësh asnjë krahinë shqiptare. “E theksoj këtë në përgjithësi, sepse infiormimi për shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Serbisë Jugore, është lërë pas dore, pa kurrfarë arsye. Lëmin informativ duhet organizuar si fushatë të pandërprerë”, tha Fran Berisha në fjalën e tij. Për të arritur këtë në mënyrë sa më efikase, Berisha tha se aty duhet të koncentrohen kuadrot profesionalisht të aftë dhe politikisht të denjë. “Paleta e mjeteve informative dhe propagandistike duhet të jetë i gjithanshëm: libri i bardhë, gazetat, buletinet dhe të tjera. Informata duhet të depërtojë maksimalisht nëpër të gjitha institucionet ndërkombëtare ku është e dobishme prezenca e jonë. Kjo vlen si për shtet, ashtu edhe për partitë politike me renome ndërkombëtare”, tha më tej Berisha. Në këtë drejtim, Berisha ta se duhet të shfrytëzohen edhe institucionet e Shqipërisë, ku edhe ata, tha se duhej të bëhen pjesë e tyre. Ai akuzoi se nuk po afirmohet sa duhet disponimi demokratik i shqiptarëve në Jugosllavi, disponim ky, për të cilin Berisha tha se është i pashoq, aq më tepër kur të merren parasysh rrethanat dhe kushtet në të cilat ata gjinden. “Kudo që jetojnë shqiptarët, demokracia ka fituar pothuajse plotësisht. Kuptimi dhe format e rezistencës aktive: me rezistencën aktive, me mobilizimin e mbarëpopullit shqiptarë, duhet shqetësuar qeverinë serbe deri në kulm. Duhet ta bëjmë iracionale qeverisjen e huaj, që ekonomikisht të korrin vetëm humbje të mëdha e politikisht efekte që janë zero”, tha Berisha, i cili më tej shtoi se në rezistencën aktive nuk është i domosdoshëm përdorimi i armëve. Duhet të parashihen dhe të studiohen kundërmasat e mundshme të pushtuesit dhe të përgatitemi për to. Veprimi ynë duhet të jetë me aksione dhe masa të reja befasuese dhe të papritura. T ë krijohet situate e tillë që për çdo mashkull të rritur, grua dhe fëmijë pushtuesit t’i nevojitet nga një rojtarë”, tha Franë Berisha para të pranishmive në takimin mbarëkombëarë në Stubiçke Toplicë të Kroacisë.

Forcimi i organizatave partiake
Veton Surroi ishte diskutuesi i radhës, i cili pasi vlerësoi se diskutimet silleshin më tepër rreth pikave II dhe II (strategjia e veprimit dhe format e organizimit) dhe dukej se pikën I (synimet e lëvizjes) e kishin të qartë, propozoi për mirëvajtjen e kuvendit që më tutje të përqendrojnë diskutimet e tyre në pikat II dhe II të tezave. Me intervenimin e Ibrahim Rrugovës, Ali Aliut dhe Tomë Berishës u theksua që nuk është e domosdoshme të bëhet ndarje rigoroze e pikave I. II dhe II, sepse në secilën pikë mund të përfshihet ndonjë element i pikave tjera, prandaj u shfaq mendimi që lidhur me propozimin e Veton Surroit mos të ngushtohet hapësira e diskutimit. Hivzi Islami, në fjalën e tij vlerësoi se ndoshta në fillim ky takim nuk ka pretendime të mëdha, por fjalët, diskutimet, rezultatet dhe vendimet mund të jenë të rëndësishme, prandaj tha se nuk duhet që të kufizohen në diskutimet e tyre dhe problemin shqiptarë duhet ta paraqesin sipas tezave që i kishin pranuar. Ai tha se në Jugosllavi po punohet për një marrëveshje të re të republikave dhe të popujve, por pa përfaqësues të Kosovës dhe të shqiptarëve. Këto biseda, tha Islami, kanë filluar në mënyrë kundërkushtetuese, pa popullin shqiptarë, duke vënë në dukje, sidomos në Serbi, që vetëm popujt janë sovran e jo republikat, siç kishte thënë Millosheviqi. “Kjo do të thotë se shqiptarët si kombësi, nuk janë shtet-formues dhe s’kanë çka të kërkojnë. Siç thotë Millosheviqi, republikat nuk kanë ekzistuar as në Jugosllavinë e paraluftës as deri më 1943. Por megjithatë po mbizotëron qëndrimi për sovranitetin e republikave brenda kufijve ekzistuese. Prandaj problemin shqiptar duhet ta shikojmë si të tërësishëm në Jugosllavi. Kosova kurrë s’ka qenë në kuadër të Serbisë, kurrë nuk është deklaruar si pjesë e Serbisë”. tha Islami, sipas të cilit organizimi i saj para luftës është përfshirë brenda banovinave të Zetës, Vardarit dhe Moravës, i ka takuar Mbretërisë Serbo-Kroatë, Sllovene, kurse me dhunë hyri në Serbi më 1945 dhe ajo është datë e parë që konsiderohet që Kosova u deklarua si pjesë e Serbisë. “Prandaj, deklarata e Pavarësisë e Kuvendit të Kosovës nënkupton zgjidhjen parciale të çështjes parciale në Jugosllavi, sepse mbetet pjesë e madhe e shqiptarëve në Maqedoni-më se 800.000. Por, sidoqoftë Kosova mbetet mullari i çështjes shqiptare në Jugosllavi-kah qenë deri dje – është edhe sot. Kur funksionoi autonomia e Kosovës 1970 – 81 edhe shqiptarët jashtë Kosovës gëzonin disa të drejta, të paktën në arsim dhe kulturë. Por, pas 1981 dhuna kundër shqiptarëve ashpërsohet, sidomos në Maqedoni, edhe më fort se ç’ishte në kohëra tejet të vështira të mëparshme”, tha Islami. Sa për referendum të të gjithë shqiptarëve, Islami tha se Europa e asaj kohe mendon që në të ardhmen kufijtë t’i reduktojë vetëm në vija ekonomike, përmes integrimit ekonomik. Kufijtë do të relativizohen, nuk do të ndërrohen me dhunë, por faktori ekonomik është ai që do të integrojë popujt, krijimin e një trekëndëshi ekonomik Tiranë-Prishtinë-Shkup, faktikisht nënkupton edhe përzierjen e kufirit. “Po mendoj këtu në ndarjen e korpusit kombëtarë, sepse tash mbetja e çdo territori shqiptarë jashtë tërësisë shqiptare do të ketë pasoja të mëdha. Edhe në rast të integrimit të Kosovës me Shqipërinë, mbetja e territoreve shqiptare të ish Jugosllavisë, jashtë këtij integrimi, për Islamin ishte e papranueshme dhe tha se duhej të angazhohen në parandalimin e copëtimit e mëtutjeshëm të kombit. Një çështje tjetër e rëndësishme, sipas tij, është hartimi i programit kombëtarë. “Ne s’kemi asnjë Libër të Bardhë për Kosovën, as program për pjesën tjetër të kombit që përfshihet në Jugosllavi. Kur ishim në Itali, te Picoli, e para pyetje e tij ishte: A keni libër të bardhë për ne. Ne në të vërtetë nuk kemi asnjë informator që do të paraqiste pasqyrë historike, gjeografike, ekonomike e kombëtare. Këto duhet bë, duhet hartuar programi që nënkupto synimet tona në lëvizjen tonë, brenda proceseve që janë duke u zhvilluar. Një çështje tjetër është problemi i komunitetit shqiptarë jashtë vendit. Kemi shumë njerëz jashtë, nuk e dimë numrin e tyre. Partitë politike kanë formuar degët, kanë formuar bërthama me qëllim të organizimit politik të tyre”, tha Hivzi Islami, i cili më tej shtoi se pjesa e kombit e mbetur jashtë kufijve duhet të ruhej dhe mos të përçahet në grupe politike, por të veprojë si trup unik. Ai vlerësoi se çështja e Kosovës i bashkoi shqiptarët e të gjitha viseve si asnjë herë më parë, pa marrë parasysh përkatësinë regjionale, ideologjike, fetare dhe përkatësi të tjera. Ai kërkoi që të dilet me qëndrim të tyre ndaj armatës jugosllave, për shkak të sjelljeve të saj kundrejt shqiptarëve të Kosovës, por edhe kundrejt shqiptarëve nga viset tjera.
Regjistrimi i popullsisë, shqiptarët pa qëndrim
“Tash po afrohet koha e regjistrimit të popullsisë. Ne, akoma nuk kemi qëndrimin a do të dalim a jo në regjistrim. Ne nuk e kemi asnjë njeri tonin në entin statistikorë, i cili është bartës i regjistrimit. Duhet të kemi parasysh se në këto regjistrime do të bëhen manipulime, sepse faktori demografik është bërë faktor i shqetësueshëm jo vetëm për Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi, por edhe për tërë Jugosllavinë. Kurrë nuk e kemi ditur numrin e saktë të shqiptarëve, sidomos në Maqedoni. Në Kosovë do të kemi problem se s’kemi kushte për regjistrim, nuk do të regjistrohen ata që janë jashtë, do të humbim së paku 300.000 pjesëtarë”, tha Hivzi Islami, në fjalimin e tij mbi procesin e regjistrimit që po përgatitej të mbahet në ish Jugosllavi. Ai akuzoi se Serbia do të përpiqet që të zhvlerësojë rezultatet e regjistrimit 71-81, do të manipulojë me disa rezultate lidhur me kolonizimin e Kosovës, për të arsyetuar politikën e vet në Kosovë.
Lidhur me diskutimin e Hivzi Islamit si dhe me tezat e paraqitura, Shukri Rrahimi, kërkoi që fillimisht të sqarohen. “Në këto teza bëhet pyetja: a do të përcaktohemi për Kosovën si njësi shtetërore ose për popull shtetformues. Këto janë dy sende që do të kenë reflekse të veta edhe për të cilat duhet të përcaktohemi se cila na përgjigjet. E para apo e dyta?”, tha Shukri Rrahimi, ndërsa pas tij reagoi Ibrahim Rugova, i cili tha që fillimisht të diskutojnë dhe në fund të bëhen deklarime.
Fjalën e mori përsëri Hivzi Islami, i cili tha se opsioni i Serbisë nënkupton shkatërrimin e Jugosllavisë, me Serbinë e Madhe deri në Zagreb. “E ku do të jemi tash ne? S’ke çka më të luftosh për Kosovën Republikë, do të luftosh për Kosovën Republikë për të gjithë shqiptarët në Jugosllavi, se tjetra është bashkimi me Shqipërinë”, tha Hivzi Islami.
Duke u nisur nga bindja se pjesëmarrësit në takim tanimë kanë njohuri për situatën e krijuar, Burhan Kavaja, propozi që të shkohet drejt një projekti konkret. Ai tha se tanimë nuk ka asnjëfarë kputimi të mendohet se Jugosllavia do të ekzistojë si federatë, prandaj kërkoi që të orientohen drejt solucionit se Jugosllavia është një konfederatë. “Shqiptarët duhet të përpiqen për realizimin e vendimit të 7 shtatorit të Kuvendit të Kosovës – KOSOVA REPUBLIKË, në viset tjera të banuara me shqiptarë, duhet bërë përpjekje për shpalljen e autonomive, në Mal të Zi, Maqedoni si dhe të angazhohen për shpalljen e autonomisë së Sanxhakut. Nëse Jugosllavia bëhet konfederatë, të përgatitemi për bashkimin e territoreve shqiptare në Jugosllavi në REPUBLIKA SHQIPTARE. Nëse shkatërrohet Jugosllavia, atëherë në Europën e përbashkët, shqiptarët formojnë shtetin e përbashkët në truallin e vetë, në kufijtë e Lidhjes së Parë të Prizrenit”, ishte propozimi I Burhan Kavajës, përfaqësues i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Veton Surroi para të pranishmëve në takimin mbarëkombëtarë të Stubiçke Toplicës, për diskutim shfaqi dy dilema. E para, autonomia e shqiptarëve në Maqedoni, a do të ishte produktive për momentin e atëhershëm, nëse do të dilte se 65 për qind, ose të paktën 40 apo 50 për qind janë shqiptarë, apo është strategjikisht më mirë distribuimi i pushtetit në Maqedoni në bazë të përpjesëtimit kombëtarë. Për Malin e Zi u mbështet në propozimet në teza, si për të gjitha viset shqiptare, të drejta të njëjta kulturore dhe arsimore. “E kam dilemën e dytë, se nuk përmbyllet i tërë zhvillimi i Jugosllavisë në fjalën konfederatë. Problemi i konfederatave moderne është se ato janë të kategorizuara në disa nivele dhe në secilin rast ajo është e qartë. Mirëpo përmbajtje e konfederatës së ardhshme jugosllave është e paqartë për shumë kend në Jugosllavi, pra edhe për ne. “Nëse konfederata e ardhshme do të përfshinte politikën e unifikuar monetare, të jashtme si dhe ushtarake, atëherë jemi duke fol për federatë autentike, pra centralizimi i përmbajtjeve kryesore shtetërore. Nëse konfederata do të nënkuptonte vetëm lidhje pa këto elemente të përmendura (politika monetare, e jashtme dhe ushtarake) e që do të kishte p.sh. të përbashkët politikën tatimore, atëherë s’ka kuptim të flitet për opsionin e konfederatës për shqiptarët, sepse ato lidhje tatimore mund të ketë shteti i përbashkët shqiptarë me shtetet tjera të Jugosllavisë. Pra, zhvillimi i ardhshëm do të na përcakton se cilat opsione na dalin parasysh”, tha Veton Surroi. (vijon)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara