Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë sot e vazhduan mbledhjen konstitutive në të cilën po diskutohet për zgjedhje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Në vazhdimin e sotëm të 18-të, deputetët e VMRO-DPMNE-së përsëritën se nevojitet debat në mënyrë që të tejkalohen të gjitha dallimet dhe zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të spastrohen dilemat. Në fokus të debatit të sotëm ishin e ashtuquajtura Platforma e Tiranës dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në Tetovë. Ejup Halimi nga BDI konsideron se duhet sa më parë të zhbllokohet Parlamenti, të formohet qeveria dhe të respektohet Marrëveshja e Ohrit. Mbledhja do të vazhdojë në orën 15:00, pas pauzës së rregullt prej një ore.