E premte, 21 Mars, 2025
-3.2 C
Skopje

Vdes Astriti, tragjedia e dytë në familjen Dehari

 

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ka ndërruar jetë të shtunën pasdite në rrethana ende të pasqaruara nga autoritetet. Lajmin për KOHA Ditore e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha. “Astrit Dehari që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka vdekur sot në orët e pasdites. Shkaqet e vdekjes së tij ende nuk dihen, pos asaj që me urgjencë është dërguar në Spitalin rajonal të Prizrenit. Jemi duke u marrë me hetimin e rastit dhe tani për tani nuk mund të japim ndonjë informatë tjetër”, ka thënë Hoxha. Ndërkaq, drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka treguar se Astrit Dehari kishte konsumuar barna dhe kishte rënë në komë. “Në bazë të informatave të para që kemi marrë nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, viktima ka përdorur disa medikamente dhe ka ra në gjendje kome. Rrugës për në emergjencë ka ndërruar jetë. Në emergjencë ka shkuar pa shenja jete,” tha Krasniqi. Ai deklaroi se Policia është duke kryer procedurat e nevojshme. “Të gjitha ekipet policore së basku me prokurorin kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer procedurat e nevojshme,” tha Krasniqi. Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të premten në orët e paradites, patën zhvilluar një aksion simbolik pranë Qendrës së paraburgimit në Prizren, me ç’rast patën kërkuar lirimin e kolegut të tyre, Astrit Dehari. Ata patën pohuar se Dehari tash e 67 ditë po mbahet padrejtësisht në paraburgim, përderisa zyrtarë të klanit “Pronto” mbeten në liri përkundër shkeljeve të shumta të ligjit. Astrit Dehari po hetohej lidhur me dyshimin se bashkë me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016. Ndryshe, Astriti është djali i profesor Avni Deharit nga fshati Sllupçan i Kumanovës, i persekutuar që komunizëm, njëherësh themelues i tri ushtrive çlirimtare kombëtare shqiptare. Arbënor Dehari, djali i madh i Avniut gjithashtu ishte pjesë e Kryesisë Qendrore në Vetëvendosje, ndërsa vdiq në mënyrë tragjike.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm