Presidenti më jetëgjatë i një klubi futbolli në Turqi, Ilhan Xhavxhav për afërsisht 40 vite në krye të Gençlerbirligit, është ndarë nga jeta në ditën e sotme në moshën 81-vjeçare. Ditën e djeshme ai pësoi një hemorragji në tru pas një incidenti ku rrëshqiti dhe goditi kokën. Xhavxhav gjatë karrierës së tij historike si president i Gençlerbirligit do të mbahet mend për karakterin e tij mjaft të fortë prej negociatori duke patur si qëllim kryesor zbulimin e talenteve dhe gjendjen e mirë financiare të klubit dhe jo sukseset në kompeticione të ndryshme. Pasioni i tij për futbollin vërtetohet më së miri nga fakti që vetëm 4 ditë më parë ai kreu transferimin e fundit duke firmosur një kontratë 2.5-vjeçare me futbollistin brazilian Renato Eskobar Barufi kur ishte i shtruar në spital dhe po kurohej nga hipertensioni. Një nga vendimet e tij më të bujshme si president ishte gjobitja e lojtarëve që mbanin mjekër që prej nëntorit 2014 duke qënë se i konsideronte ata si shembull i keq për të rinjtë. Ai vendosi të gjobiste me 25 mijë lira turke (rreth 6 mijë euro) çdo lojtar me mjekër dhe akuzoi UEFA-n që nuk i dënonte lojtarët me mjekër në të gjithë kompeticionet e saj. Vdekja e tij bëri që ndeshja e sotme e Super Ligës turke mes Gaziantepsporit dhe Gençlerbirligit të shtyhet. Në skuadrën e presidentit të ndjerë Ilhan Xhavxhav luajnë edhe dy futbollistë shqiptarë, Vedat Muriqi dhe Agon Mehmeti.