Laura PAPRANIKU
Shkup, 2 dhjetor – Kur Maqedonia të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, do të njihen me automatizëm vetëm nëntë profesione të arritura në institucionet tona, edhe atë të gjithë nga fusha e mjekësisë, në përjashtim të arkitekturës. Për profesionet tjera, mbetet të punohet, thonë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), e cila është edhe koordinatore e procesit për njohjen e kualifikimeve profesionale në Maqedoni. Ata shpjegojnë se është një procese i gjatë dhe i ndëllikuar që te ne ka nis në vitin 2009, kur edhe u soll ligji përkatës, ndërsa ka të bëjë me Direktivat e Këshillit të Evropës për shtete që synojnë anëtarësimin në BE. Pra, në bazë të këtyre direktivave, të cilat përcaktojnë në detaje njohjet dhe shkathtësitë që duhet të posedojnë personat që kanë thirrjet e cakuara profesionale si dhe licencat përkatëse.
“Aktualisht në Maqedoni janë të detektuar 98 profesione të rregulluara, mirëpo është herët të flitet se sa prej tyre do të jenë kualifikime të pranuara me automatizëm si të tilla”, sqarojnë në MASH, ndërsa konsiderojnë se është punuar dukshëm në këtë drejtim. E rëndësishme, sipas tyre, për këtë fazë është se krahas nxjerrjes së Ligjit me të cilën rregullohet çështja e njohjes së kualifikimeve të vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve të tjera, këtu tek ne është përpiluar edhe Regjistri për profesionet e rregulluara në Maqedoni. Ky i fundit, azhurnohet vazhdimisht. Madje, një Komision ndërministror i cili vepron në këtë drejtim, ka shpallur për momentin një thirrje publike për propozimin e profesioneve që duhet të rregullohen me ligjin në fjalë. Me këtë thirrje, u krijohet mundësi të gjithë palëve të interesit (ministrive, odave ekonomike, të mjekëve, avokatëve, zanatçinjve e kështu me radhë), që të japin propozimet e tyre për t’i shtuar ose hequr regjistrit ndonjë profesion të caktuar. Gjithë intenca është harmonizimi i profesioneve në hapësirën evropiane, por për këtë duhet të jenë të përputhshme paraprakisht kompetenca dhe niveli i shkathtësive të profesioneve përkatëse. Profesione të rregulluara krejtësisht me ligj, por që do të njihen me automatizëm kur të bëhemi shtet anëtar i BE-së, deri në këto momente janë: doktor i mjekësisë, doktor specialist i mjekësisë, doktor i mjekësisë dentale, doktor specialist i mjekësisë dentale, infermiere e diplomuar, akusher, arkitekt, doktor i mjekësisë veterinare dhe farmacist. Ndryshe, këto njihen edhe si profesione sektoriale. Dispozitat e ligjit, më të cilën në Maqedoni rregullohet njohja e kualifikimeve profesionale, ka të bëjë me shtetasit e vendeve anëtare të Unionit Evropian, Hapësirës Ekonomike Evropiane si dhe Konfederatës Zvicerane, por edhe me shtetasit e vendeve të treta, të cilët kanë marrë kualifikime profesionale në ndonjërin prej shteteve të lartë caktuara.