S’ka si të ketë dilema a duhet a nuk duhet të ketë veting, por s’duhet të ketë dilema se në këtë proces nuk duhet të futemi pa u shikuar të gjitha efektet e pritshme dhe pa u hartuar një ligj, i cili do të ishte funksional dhe pa zbrazëti, i cili do t’i parashohë qëllimet dhe mekanizmat efikas të realizimit, dhe me politikës sa më larg
Nga Daut DAUTI
Disa gjëra më mirë të mos nisen, se sa të shndërrohen në farsë! Vetingu, një ide dhe sugjerim nga Evropa, here si kusht, e here i padefinuar(a e kërkon përnjëmend BE apo punë mode sipas përvojës së Shqipërisë?), dalëngadalë u fut edhe në përditshmërinë tone politike, ashtu siç dhe u nis, me shumë paqartësi dhe është kanalizuar rrugës zyrtare në foromë projekti ligjor (në procedurë).
Paqartësi, sepse sot e kësaj dite ka mbetur e paqartë nëse ajo ishte një ide e hedhur nga BDI-ja për të dëshmuar se është e gatshme t’i vë nën thjerrë të gjitha ato dyshime që i hedhin disa qarqe për udhëheqës e funksionarë të saj. Apo, ishte vetëm ide e BDI-së, por e “pëshpëritur” nga jashtë, për ta nisur një proces verifikimi edhe këtu te ne, ngjashëm si u bë në Shqipëri. Paqartësia e radhës i përket “kategorive” me të cilën duhet përfshirë, sepse, ideja që rrodhi nga BDI përmendte bartësit e funksioneve publike, por pastaj vetingu nisi të lidhet më së shumti ose kryesisht te gjykatësit dhe prokurorët. Ndërsa në disa institucione, madje ishte paralajmëruar fillimi i vetingut ende pa u sjellë ligji që e propozonte BDI-ja. Duke pasur parasysh se as nga BE nuk ka sugjerim kategorik, një gjë e tillë po reflektohet njësoj edhe te ne me hamendje se çfarë duhet të bëhet dhe çfarë mund të jetë efekti. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Zoran Zaev shprehu frikën se nga një proces vetingu gjyqësia mund të mbetet pa gjykatës të mjaftueshëm!
Në një shoqëri të pakonsoliduar si kjo e jona, është e pakontestueshme nevoja për të gjetur mekanizma për të pastruar fenomenet negative. Korrupsioni dhe origjina e pasurisë së krijuar me origjinë të dyshimtë nga pozita e caktuar në nivele më të larta të shoqërisë, është shpërndarë si kancer. Por, nuk është vetëm vetingu mekanizmi që duhet t’i luftojë këto dukuri, por dhe një varg strukturash që merren me këto, por efektet janë minimale, sepse del që asnjë organ, nuk është plotësisht i pavarur në veprimin e vet. Por, dhe secili organ nuk është plotësisht i pastër që të jetë kredibil të merret me këto fenomene. Këtë më së miri e dëshmoi rënia spektakulare e organit më të besueshëm deri tash, Prokurorisë Speciale.
Nëse kryeministri Zaev thotë se mund të mbetemi pa gjykatës nëse nxitojmë me vetingun, ministri i tij i punëve të brendshme Oliver Spasovski, kohë më parë pat deklaruar se pasuria e disa të punësuarve në MPB është më e madhe se e shumë biznismenëvë, prandaj dhe duhet të ketë veting edhe për këtë ministri. Renata Deskovska, ministre e Drejtësisë, është në të njëjtën vijë me idenë e BDI-së që vetingu të zgjerohet edhe te politikanët. Por, a nuk është obligativ deklarimi i pasurisë së çdo bartësi funksionesh publike para çdo detyre që marrin dhe pas çdo mandati të kryer? Cili funksionar ka pasur pasoja deri tash pasi të jetë vënë nën thjerrë për pasurinë e fituar brenda mandatit që ka qenë në shpërputhje me të ardhurat zyrtare? Kjo vetëm dëshmon defektin që ekziston në realizimin e një norme ligjore.
Edhe me vetingun mund të ndodhë gjithë ajo që ka ndodhur me një varg projektesh ambicioze të cilat kanë përfunduar me fiasko. Prokuroria Speciale është rasti i fundit dhe më drastik i dështimit të një qëllimi të lartë. Prapa kësaj prokurorie deklarativisht dhe faktikisht qëndruan të gjitha subjektet politike, por pastaj funksionimi i saj ishte vënë nën shënjestër se ngre akuza në mënyrë selektive, për çka opozita, për bëmat e saj si pushtet i dikurshëm edhe ishte themeluar, ta akuzojë për përndjekje politike. Kjo prokurori që i hyri punës me ambicie, “falë” gafeve të kryeprokurores (rasti “Zhavatja”), përfundoi me dështim të plotë, duke lënë prapa një vakum të rrezikshëm juridik gjer në presedent, që çdo prokuror i lejon vetes të veprojë me lëndët e saj si t’i teket, sepse për zgjidhjen ligjore të transformimit të PSP-së, asnjëherë nuk pati pajtim, për shkak të interesave të kundërshtuara midis pushtetit dhe opozitës.
Edhe vazhdimi me lëndët e papërfunduara, ka shumë interpretime kundërthënëse nga vetë ekspertët, që është një dëshmi më tepër se sa efekte negative shkakton një mision i dështuar.
Kujtojmë më herët edhe procesin e lustrimit, si një projekt ligjor, imperativ që kishte dalë nga një rezolutë e BE-së dhe i propozuar nga një grup deputetësh, qe votuar në parlament me shumicë absolute, pra, me një konsensus të plotë dhe përkrahje politike të parezervë. Meqë në ligj Gjykata Kushtetuese gjeti disa nene problematike, lustracioni mori një teposhtëzë, sepse gjatë rrugës, nisën të shpërfaqen interesa të kundërta midis partive maqedonase, të cilat në fund e devalvuan procesin krejtësisht. Nuk duhej të ishte aspak kontestues një proces i tillë i pastrimit të radhëve në funksione publike nga bashkëpunëtorët e ish-organeve të sigurimit, mirëpo ndryshimet që u bënë në ligj(disa herë), pa opozitën(e cila kishte interesa të veta për t’u tërhequr nga konsensusi, për ta përdorë lustrimin si një proces të degraduar dhe një argument më tepër për ta akuzuar pushtetin), jo vetëm që krijuan boshllëqe të reja, por dhe interpretime se ai ishte bërë për qërim hesapesh me opozitën.
Këto janë vetëm dy shembuj se si një imperativ shoqëror, për shkak të mundësisë për manipulime me to, shndërrohet në diçka krejt të kundërt. Vetingu, duket se do të ishte “projekti” i radhës, tejet “i përshtatshëm” për përplasje politike, i cili mund ta sjellë në kollaps sistemin gjyqësor, siç e ka sjellë Shqipërinë. Çfarë tregon shembulli me Shqipërinë? Qe tre vjet është pa gjykatë kushtetuese dhe disa organe tjera gjyqësore jo funksionale, për të cilat nuk ka pajtueshmëri midis qeverisë dhe partive opozitare. Rivaliteti politik midis PS-së, PD-së dhe LSI-së, i përshkallëzuar në shkallë të paimagjinueshme armiqësie, është reflektuar edhe në procesin e vetingut, sepse çdo përpjekje e zbatimit të tij, nuk kalon pa akuza të ndërsjella se mbrohen ose eliminohen gjykatësit nga funksioni i tyre për shkak të afërsisë partiake.
E njëjta gjë, sigurisht, do të ishte e pritshme edhe në Maqedoni, sepse as këtu gjërat nuk janë më idilike se ato në Shqipëri. Edhe këtu dihen gjykatësit të cilët kanë kryer “detyra shtëpiake” të dhëna nga ndonjë parti. Të shpeshtën, ndikimi vjen nga partitë në pushtet, por meqë të gjitha partitë janë ndërruar me radhë në ekzekutiv, s’ka dyshim se “rekrutimi” tashmë është bërë, edhe pse ka pasur edhe fenomene kur disa gjykatës kanë qenë fleksibilë për t’iu “përshtatur” ndryshimit të rrethanave, që është fenomeni tjetër interesant. Afërsia me partitë dhe selektiviteti në gjykime, janë dukuri të cilat e cenojnë drejtësinë dhe devalvojnë pushtetin gjyqësor, por në prapavijë të kësaj, doemos është edhe interesi material, i fituar në mënyrë të paligjshme, qoftë shkaku i lojalitetit ndaj politikës, qoftë i interesave të biznesit, për ta flijuar drejtësinë.
S’ka si të ketë dilema a duhet a nuk duhet të ketë veting, por s’duhet të ketë dilema se në këtë proces nuk duhet të futemi pa u shikuar të gjitha efektet e pritshme dhe pa u hartuar një ligj, i cili do të ishte funksional dhe pa zbrazëti, i cili do t’i parashohë qëllimet dhe mekanizmat efikas të realizimit, dhe me politikës sa më larg.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)