Shkup, 17 janar Sekretari i përgjithshëm i NATO-s pas pothuajse katër vjet vjen për vizitë në Maqedoni. Jens Stoltenberg sonte arrin në Shkup, ndërsa nesër do të ketë takime me kreun më të lartë shtetëror dhe do të mbajë fjalim para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.
Dhe pa dallim të porosisë, të cilën do ta dërgojë deri te autoritetet dhe qytetarët e Maqedonisë, vet vizita e tij zyrtare në vend, në këtë periudhë jashtëzakonisht intensive në planin politik të brendshëm, por edhe të jashtëm për Maqedoninë, është porosi në vetvete.
Maqedonia intensivisht dhe në mënyrë të përshpejtuar punon në zgjidhjen e kontestit me Greqinë për emrin, i cili është pengesë për integrimin evropian dhe euroatlantik. Për sot është caktuar raund i ri të negociatave në suaza të ripërtëritjeve të tyre pas ngecjes trevjeçare. Qeveria punon edhe në realizimin e Planit 3-6-9 për zbatimin e reformave, të cilat janë të nevojshme në drejtim të demokratizimit të vendit dhe vendosjen e sundimit të së drejtës.
Stoltenberg sekretari i pestë i përgjithshëm për vizitë në Maqedoni
Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Bruksel më 11 dhe 12 korrik, ndërsa Stoltenberg e viziton vendin në një periudhë të zbatimit intensiv të reformave, ripërtëritjes së negociatave për emrin, por edhe në një periudhë të rritjes së pritjeve se Maqedonia përfundimisht do të marrë mundësi të integrohet në aletin më të madh ushtarako-politik në botë.
Sekretari i parë i përgjithshëm, i cili e vizitoi Maqedoninë ishte Havier Solana, në vitin 1997. Ai edhe dy herë qëndroi për vizitë zyrtare në vend, në vitin 1998 dhe në vitin 1999.
Xhorxh Roberston, si njeri i parë i Aleancës realizoi më shumë vizita në vend edhe atë të gjitha të realizuara në vitin 2001, në jehonë të krizës. Për herë të parë e vizitoi në prill të vitit 2001, realizoi gjithsej gjashtë vizita. Ishte në vend edhe në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit më 13 gusht të vitit 2001, ndërsa vizitën e ardhshme e pati në nëntor të vitit të njëjtë.
Jap de Hop Shefer e vizitoi vendin tre herë, në vitin 2007, 2008 dhe 2009.
Për herë të fundit sekretar i përgjithshëm i NATO-s ishte për vizitë në Maqedoni në maj të vitit 2014. Atëherë Anders Fog Rasmusen arriti për vizitë lamtumirëse, gjatë fundit të mandatit të tij dhe u takua me kreun më të lartë shtetëror në vend.
Rruga e Maqedonisë në NATO
Kuvendi në vitin 1993 e miratoi Rezolutën për hyrje të Maqedonisë në NATO, me ç’rast vendi nga shfrytëzuese e sigurisë, për një kohë të shkurtër u bë partner kompatibil i Aleancës.
Më 15 nëntor të vitit 1995 Maqedonia e nënshkroi Dokumentin kornizë për qasje drejt programit Partneritet për paqe, ndërsa atëherë u pranuam edhe në Këshillin atlantik të Veriut për bashkëpunim.
Vitin e ardhshëm në vend u hap Zyra për lidhje, ndërsa nga fundi i vitit 1997 u hap edhe Misioni i përhershëm i RM-së në selinë e NATO-s në Bruksel.
Maqedonia në samitin e NATO-s në Uashington në vitin 1999 mori status të kandidatit për anëtarësim, me çka filloi me procesin e përgatitjes së Planeve aksionale për anëtarësim (Membership Action Plans).
Momentalisht punohet në MAP të 18-të, ndërsa cikli i 17-të përfundoi zyrtarisht me mbledhje të Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit atlantik të Veriut në shtator të vitit të kaluar në Bruksel.
Atëherë Qeveria i informoi Aleatët se ka vendosur të fillojë gradualisht rritje në shpenzimin e mbrojtje me fillimin e vitit 2018, e pastaj edhe në vitin 2019, me 0,2 për qind të BPV, që të vijë deri në kriteret e nevojshme për anëtarësim në NATO. Vendet-anëtare do të duhet të ndajnë dy për qind dy për qind nga BPV-ja për mbrojtje, diçka drejt së cilës synon edhe Maqedonia, por siç thonë nga MM, vetëm pesë vende-anëtare e plotësojnë këtë kriter.
Momentalisht Maqedonia ndan 1,01 për qind nga BPV-ja për mbrojtjen. Vlerat më të larta janë vërejtur në vitin 2006, 2,01 dhe në vitin 2007, 2,15, por që atëherë përqindja bie dhe vitin e kaluar erdhi në nivel prej 0,9 për qind.
Reformat zbatohen në vazhdimësi
Në dhjetor, siç deklaruan për MIA-n përfaqësues të MM, u prezantua Programi kombëtar vjetor për anëtarësim në NATO, me të cilin edhe zyrtarisht filloi cikli i 18-të MAP.
Në pjesën politike në rrugën drejt NATO-s për vendin është aktual statusi i vendit në kuadër të MPA procesit, ndërsa në pjesën ushtarako-të mbrojtjes aktual është statusi i Procesit për planifikimin dhe analizën e mbrojtjes (PARP), i përpiluar që të ndihmojë vendet partnere që t’i transformojnë sistemet e mbrojtjes.
Në këtë proces NATO përpilon vlerësimin e saj PARP, i cili është dokumenti i vetëm, që u përpilua nga Aleanca dhe u miratua nga RM dhe vendet-anëtare të Aleancës.
Maqedonia që në vitin 1996 u përfshi në PARP procesin dhe që atëherë e deri më tani janë kompletuar pothuajse 11 PARP cikle, ndërsa në vitin 2018 do të fillojë edhe cikli i 12-të.
Maqedonia, thonë burime të MM për MIA-n, që në vitin 2008 para samitit në Bukuresht ishte e përgatitur për hyrje dhe përmes implementimit të vazhdueshëm të këtij procesi arrit që të transformojë mbrojtjen në pajtim me kërkesën e NATO-s dhe të plotësojë kriteret e domosdoshme për anëtarësim.
Vendi, sipas tyre në vazhdimësi i ndjek reformat, që kërkohen nga Aleanca, por megjithatë për arsye të tjera ende jemi në prag, por jo edhe në NATO. Shtojnë se Maqedonia është vendi me Plane aksionale më të shumta për anëtarësim nga të gjitha vendet e tjera kandidate.
Misione ndërkombëtare
Përmes PARP proceseve, thonë nga MM-ja është rritur ndërveprimi i ARM-së, ndërsa në kontekst të kësaj RM-ja ka deklaruar edhe kapacitete dhe aftësi të saj për kontribut në operacionet ndërkombëtare të Aleancës.
Maqedonia nga viti 2002 filloi të marrë pjesë në misionet paqësore ndërkombëtare, në Afganistan në vitin 2002, Irak në vitin 2003, në misionin e BE-së në BeH në vitin 2006 dhe misionin e KB-së në Liban.
Maqedonia për momentin merr pjesë me personel prej 44 personave në misionin Mbështetje e vendosur e NATO-s në Afganistan, si dhe me tre persona në misionin ALTEA në BeH dhe një person në UNIFIL në Liban.
Shekerinska paralajmëroi se sivjet është planifikuar rritje e pjesëmarrjes në misionin në Afganistan për 20 për qind ose për tetë persona. Realizimi i këtij plani është në vijim dhe siç thonë përfaqësuesit e MM-së me rotacionin e dhjetorit tani më është rritur numri i personelit në Afganistan, prej 39 në 44 persona, ndërsa tre persona shtesë do të sistemohen me rotacionin e ardhshëm në mars të vitit 2018.
Nga aspekti rajonal u jep mbështetje të plotë logjistike forcave të KFOR-it në Kosovë përmes Qendrës koordinuese për mbështetjen e KFOR-it në Shkup.
Nga viti 2002 më shumë se 3.800 persona kanë bërë rotacion në misionet paqësore në të cilat kanë marrë pjesë forcat e Maqedonisë.
Bukuresht 2008 – Bruksel 2018
Maqedonia deri tani më së afërti për hyrje në Aleancë ishte në samitin në Bukuresht në vitin 2008. Atëherë ishte më shumë se e sigurtë se vendi do të marrë ftesë për anëtarësim.
Reagimet pozitive dhe optimiste vinin nga të gjitha anët, ndërsa Maqedonia u vlerësua se tërësisht është e gatshme për ta marrë ftesën. Megjithatë në momentin e fundit Greqia e ka përdorur të drejtën e vetos dhe e kushtëzoi hyrjen e Maqedonisë me zgjidhjen e kontestit për emrin dhe prej atëherë qe dhjetë vite, edhe pse vendi punon në reformat dhe plotësimin e kritereve për hyrje në Aleancë, nuk ka përparim në atë proces.
Sipas ekspertëve në vend, obligimet e Maqedonisë deri në samitin e ardhshëm të NATO-s në korrik në Bruksel do të përfundojnë, por megjithatë në procesin e pranimit të anëtarëve të rinj duhet të merret parasysh edhe konteksti politik, respektivisht kalkulimet e 29-të vendeve tjera anëtare. Kjo është para së gjithash për shkak të parimit konsensual të vendosjes së Aleancës.
Çka ka ndryshuar prej vitit 2008 deri në vitin 2018? Ekspertët vlerësojnë se ka ndryshuar klima gjeopolitike në korniza botërore, por megjithatë edhe ambienti i brendshëm në vend, pas ndërrimit të pushtetit.
Megjithatë Maqedonia, duke e përjashtuar kontekstin politik të tërë problematikës, në pajtim me kapacitetet e saj ka realizuar një pjesë të madhe të reformave, të cilat nevojiten që të bëhet anëtare e Aleancës, thonë për MIA-n burime nga Ministria e Mbrojtjes.