Gjenerata aktuale e Jeep Wrangler është në rënie dhe kompania ka vendosur që të sjellë versionin e ri të kësaj gjenerate, Rubicon Recon. Prodhuesit e veturave shpesh ruajnë versionet më të fuqishme të modeleve të tyre për në fund të prodhimit, dhe këtë lloj strategjie po e përdorë edhe Jeep, i cili ka prezantuar Wrangler Rubicon Recon, version më i fuqishëm nga modelet Off-Road, transmeton Koha.net. Ky version i ri është i fundit i kësaj gjenerate në largim, ndërsa gjenerata e ardhshme do të arrijë në vitin 2018. Rubicon Recon vjen me një sërë komponentësh karakteristike nga veturat Off-Road, si dhe me disa përmirësime. Duhet theksuar edhe rrotat Granite Crystal me diametër prej 17-inç e me goma BF Goodrich. Versioni i ri i Jeep Wrangler, po ashtu, vjen me motor 3.6-litër V6 në kombinim me marshin manual me gjashtë shpejtësi, ndërsa marshi automatik me pesë shpejtësi mund të merret me një pagesë shtesë. Ulëset e këtij versioni të ri të Wranglerit janë të veshura me lëkurë të zezë dhe janë me ngrohje, ndërsa në interier gjenden rripat e sigurimit me ngjyrë të kuqe si dhe tepihët me logon e Jeepit. Shoferi, në dispozicion ka edhe një ekran i cili ofron informacione të ndryshme. Çmimi i këtij Wrangleri me tre dyer kushton rreth 40 mijë dollarë, ndërsa modeli Wrangler Unlimited me pesë dyer rreth 43 mijë dollarë. Gjenerata e re e Wranglerit pritet të debutojë në nëntor të këtij viti, ndërsa shitjet e tij pritet të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm.