Puna më e vështirë do të jetë derisa kjo njësi kundër zjarrit të fillojë të funksionojë, sepse bllok dotacionet për nëntë të punësuarit do të duhet të ndahen nga Ministria e Mbrojtjes, tha kryetari i komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu
Urim HASIPI
Gostivar, 9 mars – Komuna e Vrapçishtit dhe Bogovinës, në të ardhmen do të themelojnë njësi territoriale kundër zjarrit dhe përfundimisht do të shkëputen nga njësia territoriale kundër zjarrit e Gostivarit dhe Tetovës. Objekti është në ndërtim e sipër në fshatin Gradec të komunës së Gostivarit, ndërsa financohet nga mjetet e Bashkimin Evropian, në kuadër të fondeve që ndahen për bashkëpunim ndërkufitar. Për të parë punët rreth objektit që pritet të përfundojë gjatë verës, në teren ishin Ministri i Pushtetit Lokal Risto Penov së bashku me kryetarët e komunës së Vrapçishtit dhe Bogovinës. Ky projekt kap vlerën rreth një milion euro.
“Një projekt me të cilin qeveria rumbullakson fazën e parë që të pajisen të gjitha qendrat rajonale me njësi kundër zjarri. Prandaj edhe këtu për herë të parë vendosim një sistem të këtillë. Shërbimet për shfrytëzimin e kësaj janë qendre janë shumë të mira dhe mund të shohim se punët janë duke shkuar mirë dhe pres që të kemi një projekt të suksesshëm. Sipas dokumentacionit teknik, objekti duhet të përfundojë në verë, kurse në vjeshtë edhe të jetë në funksion”, tha Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov.
Kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani theksoi se shumë shpejt do të shpallet thirrja për furnizim me automjet të zjarrfikësit dhe pritet që në vazhdimësi të ketë financime së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes që kjo njësi e zjarrfikësve të jetë në shërbim të qytetarëve të dy komunave. “Së bashku me komunën e Bogovinës kemi marrë pjesë me mjete në vlerë rreth 270 mijë euro dhe është një projekt i mirë, ngase kemi pasur mungesë të njësisë së zjarrfikësve në këta dy komuna. Në projekt është paraparë që të kemi një automjet kundër zjarrit dhe muajin e ardhshëm do të ketë edhe shpallje publike dhe ne me komunën e Bogovinës do të duhet të bëjmë disa hapa me Ministrinë e Mbrojtjes pasi që do të duhet të shkëputemi nga Tetova dhe Gostivari dhe të formojmë njësinë tonë të përbashkët”, tha kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani.
Puna më e vështirë do të jetë derisa kjo njësi kundër zjarrit të fillojë të funksionojë, sepse bllok dotacionet për nëntë të punësuarit do të duhet të ndahen nga Ministria e Mbrojtjes, tha kryetari i komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu. “Pas ndërtimit të objektit na pret puna më e rëndë, duhet të themelohet ku institucion, që të fillojmë të fitojmë bllok dotacione nga Ministria e Mbrojtjes. Vështirësinë më të madhe do ta kemi tutje, sepse punëtorët që do të punësohen do të duhet të marrin rroga nga Ministria e Mbrojtjes”, tha kryetari i komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu. Ky projekt realizohet edhe në komunën e Cerrikut në Shqipëri, ku atje Bashkimi Evropian ndihmon në pajisje për zjarrfikësit e atij rajoni. (koha.mk)