Qeveria e Turqisë është e gatshme ta nënshkruaj Konventën, mirëpo në situatën e tanishme është e detyruar ta ndërpres çdo aktivitet i cili nuk është në përputhje me mbrojtjen kombëtare. Për sa më sipër, pasi nuk ka mundësi ta zbatoj konventën, e ka patjetër ta shtyj nënshkrimin. Mundet të bisedohet vetëm nëse Jugosllavia është e gatshme ta rrisë kontributin e saj për financimin e shpërnguljes…
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Një aktivitet të dendur kundër shpërnguljes asaj kohe pati edhe Bedri ef. Hamidi, i cili në vitin 1939 zhvilloi një vizitë disamujore në të gjitha qendrat më të rëndësishme të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, si: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Preshevë, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Manastir, Ulqin, Novi Pazar etj., me ç’rast mbajti ligjërata me karakter fetar e politik në xhamitë kryesore të këtyre qendrave. Për tërë atë aktivitete të tij, përmes një raporti prej më shumë se 200 faqesh, njoftonte Mexhlisin e Ulemasë së Shkupit për gjendjen e mjerueshme të popullsisë myslimane:
“…Si pasojë e Luftës së Parë Botërore i cili pati një ndikim të madh në zhvillimin e jetës së përgjithshme të këtyre myslimanëve, është shpërngulja e familjeve të tëra për në Republikën e Turqisë. Hovi i kësaj shpërngulje u shtua sidomos pas përfundimit të luftës. Shkak i kësaj shpërngulje ishte vendimi i prerë për zbatimin e reformave agrare, reformë kjo që familjet myslimane i la në rrugë të shkreta. Padyshim, lufta solli pasoja të rënda dhe myslimanët nuk arritën të gjenden në situatën e krijuar fill pas luftës. Shpëtimin e kërkonin në shpërngulje e cila po përpinte familje të tëra myslimane dhe, kësisoj, vendbanimet myslimane po humbitnin karakterin dhe frymën islame… Kjo shpërngulje nuk po ndikonte vetëm në zvogëlimin e numrit të myslimanëve por, shkaktonte dhe një psikozë edhe tek ata pak myslimanë që nuk kishin braktisur vendlindjet e tyre, të cilëve po ua mbyste pulsin për jetë e për punë. Në shumë vise…, me shpërnguljen e familjeve të tëra u humb shumica e myslimanëve, dhe me këtë edhe pesha e tyre në drejtimin e këtyre vendbanimeve. Falë Zotit, kohëve të fundit ky trend është zvogëluar, por pasojat po ndjehen akoma në të gjitha sferat e jetës tek myslimanët e ngelur, sidomos në sferën ekonomike.
Të theksojmë këtu se, reforma agreare, e cila ishte shkaku kryesor i varfërimit të të gjithë shtresave të myslimanëve dhe që i nxiti në shpërngulje, la pasoja edhe më të mëdha. Përveç që ishte një zgjidhje jofatlume u zbatua në mënyrë shumë të egër, duke e proletarizuar një numër shumë të madh të myslimanëve, kurse familjet e tëra myslimane i solli në varfëri të skajshme. Kjo ndodhi për shkak se tokat nuk iu morën vetëm pronarëve të mëdhenj por edhe atyre të vegjël, të cilët tokën e kishin të vetmen pasuri kurse punën bujqësore të vetmen mënyrë jetese. Me këtë plan joracional ekonomik shkatërruan shumë familje myslimane, sollën pasoja edhe në sferat e tjera të jetës, sepse pa një bazë materiale nuk ka kurrfarë perspektive. Prandaj, edhe nëse ka pasur ndonjë përpjekje vullnet apo dëshirë tek myslimanët për ngritje kulturore e arsimore, mungonin mjetet materiale, dhe kjo bëhej pengesa kryesore e zhvillimit të tyre. Vendet e braktisura myslimane nisën të popullohen nga të tjerët, proces ky që u emërua kolonizimi me vullnetarë…”.
Veprimtaria atdhetare e Ferhat bej Dragës dhe bashkëveprimtarëve të tij, më së miri përshkruhet në Analizën me titull “Propaganda shqiptare”, hartuar më 12 mars të vitit 1939 nga kryeshefi i njësisë administrativ në Shkup, Nik Dimitrijeviq. Në të ndër të tjerave thuhej se pas vrasjes së Hasan Prishtinës, irredentizmit shqiptar i prinë Ferhat bej Draga, veprimtaria e të cilit “zbatohet përmes rrugës konspirative”. Shenja të dukshme të veprimit të Dragës dhe miqve të tij, ishin “përpjekjet që shqiptarët të tubohen në radhët e ngushta, të zgjedhin njerëzit e tyre, të cilët do t’i përfaqësojnë në Kuvendin Kombëtar si dhe njerëzit e tyre në krye të administratave komunale”. Ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij ishin mësuesit e mësim-besimit fetar, hoxhallarët dhe zyrtarët e vakëfeve. Me qëllim “që kompaktësia të jetë sa më e madhe -thuhej më tej në analizë – ka ardhur edhe deri te pajtimi i gjaqeve e të kontesteve tjera nga ana e parisë shqiptare”.
Aktiviteti politik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përfshinte dy pika më të rëndësishme:
- Shpërndarja në popull të literaturës shqiptare, e cila depërtonte ilegalisht përmes kufirit; dhe
- Ndërprerja e tërësishme e shpërnguljes së shqiptarëve, qoftë për Turqi qoftë për Shqipëri.
Sipas Dimitrijiviqit, ky aktivitet i parisë shqiptare, mësuesve fetarë si dhe të përfaqësive diplomatike shqiptare në Shkup, Manastir e Beograd, pati ndikim vendimtar që “lëvizja për shpërnguljen, e cila qe përfshirë te popullsia e jonë shqiptare deri në vitin 1936 sot të ngulfatet”, përkundër faktit se deri në atë periudhë kohore, fshatra të tëra ishin të gatshme t’i lëshojnë vatrat e tyre dhe t’i lënë pasurit e tyre pa as çfarë dëmshpërblimi “vetëm se shteti t’i liroj nga tatimi i tokës, t’u jep pasaporta pa pare dhe t’ua paguaj rrugën deri në kufirin tonë”. Nuk patën sukses “as masat e rrepta agrare, as konfiskimi i armatimit”, prandaj, rruga e vetme që kjo çështje të filloj nga pika fillestare është “shpërngulja përmes rrugës së caktuar diplomatike sipas Konventës së nënshkruar me Turqinë, edhe pse shqiptarët flasin publikisht se në asnjë mënyrë nuk do t’i lëshojnë vatrat e tyre…”, theksonte veç tjerash Nik Dimitrijeviq.
Duke e përfunduar këtë punim studimor, kushtuar shpërnguljes së popullsisë shqiptare myslimane në Turqi dhe rolin e ulemave në pengimin e saj, mund të thuhet se procesi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi deri në vitin 1941 është zhvilluar në disa faza kohore. Shpërngulje më të mëdha pati në harkun kohor 1912-1924, pastaj 1928-1936 dhe faza e fundit 1938-1941. Kjo e fundit lidhej drejtpërdrejti me Konventën e parafuar më 11 korrik në Stamboll nga palët negociuese turko-jugosllave, e cila siç u tha më lartë, parashihte që brenda gjashtë viteve të shpërnguleshin 40.000 familje myslimane (shqiptare e turke) për në Turqi. Deri te kjo nuk u arrit, falë veprimtarisë së palodhur të parisë së atëhershme shqiptare të udhëhequr nga Ferhat bej Draga, hafiz Sherif Langu, mulla Idriz Gjilani, Ataullah ef. Kurtishi, Bedri ef. Hamidi, Shaban Efendia, Azem Hoxha, Mulla Hajdari, Abdullah ef. Ebibi, Lutfi ef. Ahmeti, Shherif Voca, Fetah Efendiu, Kadri Saliu, Shuaip Kamberi, Ibrahim Lutfiu, Shaip Mustafa e shumë personalitete tjera atdhetare e fetare shqiptare. Aktiviteti i tyre nga njëra anë, si dhe presioni politik nga diplomacia e atëhershme shqiptare në Ankara dhe Stamboll, ishin arsyet kryesore që udhëheqja e atëhershme politike e Turqisë të mos e nënshkruaj Konventën, me çka dështuan të gjitha planet antishqiptare të hartuara nga qarqet serbomadhe. Lajmi për mos gatishmërinë e nënshkrimit të Konventës nga ana e Turqisë, e solli i deleguari jugosllav në Ankara, Axhemoviq, i cili me 4 maj 1939 i telegrafonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd me sa vijon:
“Shefi i sektorit ballkanik sot më komunikoi me sa vijon:
Qeveria e Turqisë është e gatshme ta nënshkruaj Konventën, mirëpo në situatën e tanishme është e detyruar ta ndërpres çdo aktivitet i cili nuk është në përputhje me mbrojtjen kombëtare. Për sa më sipër, pasi nuk ka mundësi ta zbatoj konventën, e ka patjetër ta shtyj nënshkrimin.
Mundet të bisedohet vetëm nëse Jugosllavia është e gatshme ta rrisë kontributin e saj për financimin e shpërnguljes.
Nga e mësipërmja konkludoj se Qeveria e Turqisë dëshiron që neve të na kushtëzoj, duke vlerësuar se për këtë ka ardhur momenti i duhur. Shtoj se Turqia nuk i ka ndërprerë punët e shumta të cilat fare nuk kanë lidhje me mbrojtjen kombëtare”. (fund)