Gjatë një sulmi me thikë në një dasmë, në rrethinën Baden-Württemberg të Gjermanisë, ka vdekur një i ri 30-vjeçar i Maqedonisë. Në ndërkohë, sulmuesi i dyshuar, 35-vjeçar, gjithashtu nga Maqedonia, fillimisht ishte arratisur, por policia gjermane e ka arrestuar dhe tashmë gjendet në paraburgim. Motivi i vrasjes së ndodhur të shtunën mbrëma në lokacionin Riederich, duhet të kërkohet në zënkat shumëvjeçare midis dy familjeve me prejardhje nga Maqedonia. Ndaj vrasësit tashmë është ngritur kallëzim penal për veprën penale “vrasje”. Fillimisht, që të dy të rinjtë kishin filluar zënkën, me ç’rast i dyshuari për vrasje, papritmas kishte nxjerrë një thikë dhe e ka goditur në bark viktimën, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, shkruajnë mediat gjermane, përcjellë “shtegu.com”. Viktima ka ndërruar jetë pasditen e së dielës në spital.