Tenisti spanjoll Rafael Nadal nuk e ka mirëpritur faktin që Roger Federer, numri 3 në botë, të hidhet në short si numri 2 nga organizatorët e grand slam të Wimbledon, që nis më 1 korrik. “Më vjen keq, por në Wimbledon nuk kanë respektuar renditjen e përgjithshme të tenistëve. Numri 2 në botë jam unë. Për fat të mirë, kjo gjë ndodh vetëm këtu, në Wimbledon dhe në asnjë turne tjetër të madh”, tha Nadal.
“Kjo nuk më ka ndodhur vetëm mua, pasi shpesh ka ndodhur që të mos respektohet renditja. Kjo na detyron që të bëjmë një rrugëtim më të komplikuar në këtë turne për të shkuar deri në finale”, tha Nadal.
Organizatorët e Wimbledon, ndryshe nga sa veprojnë ata të Australian Open, Roland Garros dhe US Open, nuk bazohen vetëm në renditjen e përgjithshme të tenistëve. Ata shtojnë edhe pikët që tenistët grumbullojnë në turnetë e tjerë të fushave me bar që zhvillohen para Wimbledon.
Federer fitoi të dielën në turneun e Halle dhe, për pasojë, kalon Nadal në renditje dhe konsiderohet për organizatorët e Wimbledon si numri 2, pas Djokovic. “Gjithsesi, si numri 2 apo 3, unë duhet të luaj sa më mirë për të shkruar në finale dhe fituar”, tha Nadal, fitues i 18 grand slam në karrierë.