Kur fiton je i dënuar të fitosh gjithmonë! Ata që historikisht janë të mësuar të koleksionojnë trofe, me shumë vështirësi pranojnë momentet e krizës. Ata që shkojnë në majë papritmas, e kanë të vështirë më pas kontaktin me realitetin dhe të mësohen me mediokritetin. Wolfsburg e mbylli vitin 2015 si skuadra më e mirë në Gjermani, e dyta në kampionat dhe e fituese e Kupës së Gjermanisë dhe Superkupën e Gjermanisë. Asnjë në Gjermani nuk e mbylli vitin me më shumë trofe. Për një ekip që prej vitit të themelimit 1945 dhe deri më sot kishte fituar vetëm një titull ecuria e vitit të kaluar përbënte një motiv krenarie. Në skuadër kishte futbollistë si De Bruyne, Perisic dhe Schürrle. Megjithatë, pas një viti, gjithçka është zbehur. Wolfsburg lufton për të mos rënë nga kategoria dhe kampionët nuk janë më. Ata që duhet të jenë liderë janë zbehur dhe kanë hapur probleme. Nga Draxler te Gomez, asnjë nuk ka rendimentin e duhur. Ai që e paguan “faturën” e kësaj është Klaus Allofs, drejtori sportiv që pas katër vitesh ka bërë valixhet, por shkarkimi i tij ka pasur një arsye tjetër. Tifozët e Wolfsburg ishin mësuar shumë shpejt me elitën e futbollit. Në sezonin e kaluar, kur Wolfsurg, duke mundur në shtëpi Gent, arriti të kualifikohet për në çerekfinalet e Champions League (rezultati më i mirë në historinë e klubit), publiku nisi të vërshëllejë skuadrën për paraqitjen në kampionat ku ishte jashtë Kupave të Europës dhe atje mbylli sezonin. Tifozët faktikisht kishin të drejtë, sepse krahas faktin që ishin futur mes tetë më të mirave të Europës, “ujqërit” po luanin dobët. Revolucioni në ekip ishte i qartë, por i pajustifikueshëm. Eshtë e vërtetë se kriza e kompanisë “Volkswagen” nuk e ndihmoi, megjithatë në dy merkatot e fundit të verës harxhuan 100 milionë euro. Rezultate më të mira se vendi i 15-të, që ka aktualisht në renditje, janë të detyrueshme. Kjo tregon se paràtë nuk janë shpenzuar si duhet dhe kjo ka sjellë shkarkimin e Allofs. Për mënyrën si drejtonte ai nuk ishin të pakënaqur vetëm drejtuesit dhe tifozët, por edhe futbollistët. Brenda një viti ka ndryshua gjithçka: Allofs ishte drejtuesit që mori Draxler, duke e larguar nga kthetrat e Juventus, që sapo kishte luajtur finalen e Champions League. Ishte “strategu” që mori De Bruyne dhe Perisic, të “skartuar” nga Chelsea dhe Dortmund, duke i ngritur në nivelet më të larta ku u shitën për një “mal” me parà. Draxler deklaroi se dëshiron të largohet gjatë verës së ardhshme dhe kjo kapi të papërgatitur Allofs, që gjithashtu gaboi me rikthimin në Gjermani të Mario Gomez, që gjithsesi ishte sulmuesi i kombëtares dhe vinte nga një sezon i mirë me Besiktas. Me skuadrën që përfundoi në “krizë”, Allofs i çoi futbollistët të përplaseshin me tifozët, por vetë nuk mori pjesë në takim si për të thënë se faji ishte i të gjithëve përveç se i atij. Futbollistët nuk e pëlqyen këtë sjellje. Për më shumë, Allofs, që e kishte zakon të ulej në stol, sipas “Bild” i trajtonte futbollistët shumë keq gjatë ndeshjes. Kjo lloj sjelljeje nuk është pranuar më nga pronarët e klubit dhe erdhi shkarkimi. Të mendosh se në deri në gusht 2015 ai njihej si njeriu që ndërtoi ekipin që fitoi Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë. Kur fiton je i dënuar të fitosh gjithmonë.