Astana, 26 shtator – Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në zbatimin e reformave efikase në funksion të prioriteteve strategjike për anëtarësim në BE dhe NATO, ndërsa në periudhën e kaluar i avancoi edhe marrëdhëniet me fqinjët. Me Marrëveshjen e Prespës me Republikën e Greqisë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë, vendi i tejkaloi pengesat në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s,
Këtë sot e theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i cili në shoqërimin e deputetit Enes Ibrahim në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kazakistanit, sot realizoi takim me Dragica Nazerbaeva, kryetare e Senatit të Parlamentit të Republikës së Kazakistanit.
Xhaferi informoi për pritjet për marrjen e datës për fillimin e negociatave për aderim në BE dhe për dinamikën e procesit të ratifikimit të Protokollit aderues për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO. Ai theksoi se, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion demokratik funksional, në të cilin zhvillohet dialog politik aktiv dhe intensiv ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe opozitës, për çka edhe u mor vërtetim në Raportin e fundit të BE-së për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Siç informojnë nga Kuvendi, në takim u bë fjalë për rolin e diplomacisë parlamentare dhe nevojën për rritjen e rolit të parlamenteve në punët e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Xhaferi dhe Nazarbaeva u pajtuan se ekzistojnë mundësi të shumta për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, si në nivelin bilateral, ndërmjet kryetarëve, komisioneve dhe grupeve parlamentare të bashkëpunimit, ashtu edhe në kuadër të forumeve multilaterale.
Kryetarja Nazarbaeva informoi se në Senatin e Republikës së Kazakistanit është formuar Grupi për bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa shprehu edhe kënaqësi për përparimin që vendi e arriti në aspiratat për anëtarësim në BE dhe në procesin e integrimit në NATO. Ajo u zotua për përforcimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Kazakistanit dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e ekonomisë, kulturës dhe turizmit.
Bashkëbiseduesit këmbyen përvoja në lidhje me barazinë gjinore në parlamentet dhe u zotuan për pjesëmarrje më të madhe të grave në politikë. Nazarbaeva drejtoi urime që në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, 42 për qind e deputetëve janë gra, duke theksuar se shumica e parlamenteve në botë duhet të ndjekin këtë shembull pozitiv.
Kryetarët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Senatit të Parlamentit të Republikës së Kazakistanit u pajtuan se, vendosja e regjimit pa viza për qytetarët e dy vendeve duhet të finalizohet sa më shpejtë, në interes të avancimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Në kuadër të vizitës, Xhaferi e vizitoi Qendrën Ndërkombëtare Financiare Astana dhe mbajti ligjëratë në Fakultetin Juridik të Universitetit KAZGUU, me temë: „Diplomacia parlamentare – shembulli i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Në ligjëratën e organizuar nga Klubi Akademik Diplomatik, përveç studentëve dhe profesorëve të Fakultetit Juridik, ishin të pranishëm edhe ambasadorë dhe diplomatë.