Yehia Dahdouh humbi nënën e tij kur Izraeli bombardoi shtëpinë ku ata po strehoheshin në Gazën qendrore. Ai i mbijetoi bombardimit, por dhimbja e tij mbetet e papërshkrueshme
Të gjithë në shkollën tonë e dinë se Yehia Dahdouh është djali i korrespondentit të Al Jazeera-s, Wael Dahdouh. Ai ishte nxënës i klasës sime në Shkollën e Motrave Rosary në Tel el-Hawa dhe mbaj mend herën e parë që thirra emrin e tij, ai u ngrit menjëherë me një: “Po, zonjushë”. Më dukej një fëmijë i sjellshëm që qeshte shumë. Ai ishte shumë fëmijë i gjallë, që nuk ndalej asnjëherë. Tani, Yehia, i cili është vetëm 12 vjeç, është shumë më i ngadalshëm, ka kokën e fashuar dhe zemrën e tij të rënduar, dhe hera e fundit që e pashë ishte në një video lajmesh të enjten teksa qante mbi trupat e pajetë të nënës, vëllait, motrës dhe nipit. Të mërkurën, forcat izraelite bombarduan zonën Nuseirat ku Yehia dhe familja e tij strehoheshin. Yehia mbijetoi, por dhimbja e tij duhet të jetë e madhe.
Unë dhe Yehia krijuam një lidhje, siç bëjnë mësuesit me fëmijët e klasës së tyre, dhe ai më bënte të qeshja.
Ai është disi i veçantë, më pëlqen ta dëgjoj duke qeshur. Ai më vendosi mua një “nofkë”, më thërriste sipas llojit të telefonit që kam. Unë qesha me këtë ide dhe më gëzoi, sepse e di që kur një fëmijë e do dikë dhe nuk ka frikë prej tij, ai mund të jetë vetvetja. Babai i tij Wael ishte shumë i përfshirë dhe gjithmonë u përgjigjej thirrjeve dhe mesazheve të mia për Yehian. Kur i thashë se Yehia po mësonte, por mund të ishte pak më i qetë, ai qeshi dhe tha: “Yehia po të lodh! Unë do të flas me të dhe do të vij të të vizitoj në shkollë”. Yehia e do dhe e respekton babanë e tij dhe e pashë që pas vizitës së Wael-it, sa i qetë u bë, por sigurisht, më mungonte ta dëgjoja të më quante “Zonjushë”, siç bënte dikur.
FËMIJËVE TË GAZËS NUK U PËLQEJNË LUFTËRAT
Fëmijët e Gazës e duan fëmijërinë e tyre dhe duan ta jetojnë atë. Nxënësit e mi janë si vëllezër e motra, jo vetëm shokë klase dhe është një gjë kaq e bukur. Ata flasin pasi mbaron shkolla. Ata e dinë gjithmonë pse një shok klase mungon në shkollë. Komunikimi i butë dhe i fortë mes tyre më bën shumë të lumtur. Kur doli lajmi për shënjestrimin e familjes së Wael Dahdouhit, isha aq e shqetësuar, dhe e kërkoja Yehian në të gjitha fotot që po qarkullonin.
ISHTE MIRË APO JO?
Mësova se nëna, vëllai dhe motra e tij ishin vrarë dhe se kishte anëtarë të familjes të zhdukur nën rrënoja. Mësuesit në shkollë filluan të shkëmbejnë mesazhe për të. Më pas gjetëm një video të tij në spital. Yehia dukej aq i rraskapitur dhe i frikësuar tek trajtohej në korridor të spitalit, pa sterilizim. Kjo është skena e përsëritur në çdo shtëpi në Gazë: banorët qëndrojnë në shtëpi për të qenë të sigurt, por, papritur, raketat bien mbi ta, duke i lënduar. Nuk e di nëse Yehia do të mund ta kapërcejë ndonjëherë ndarjen nga nëna e tij.
Skena kur ai i dha lamtumirën nënës dhe qante për shpirtin e saj, më bëri të qaj bashkë me të. A ka gjë më të keqe se humbja e një nëne dhe kujtimet e bukura që kishe me të, humbja e asaj lloj dashurie dhe kujdesi? Dhe këtu ishte ky fëmijë duke i dhënë lamtumirën nënës, vëllait dhe motrës së tij, tre nga njerëzit më të afërt për zemrën e tij. Yehia është gjallë, shpresojmë se koka e tij do të shërohet së shpejti. Ai mundi t’i thoshte lamtumirë nënës së tij dhe të lutej për familjen e tij. Por nuk e di shkallën e dhimbjes së tij, vetëm mund ta imagjinoj.
(Al Jazeera)