Shkup, 12 dhjetor – Kryeministri i Republikës Maqedonisë, Zoran Zaev, do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Prishtinë, ndërsa do të ketë takime me të tre krerët më të lartë të shtetit të Kosovës. Zaevi do të pritet në takime të ndara nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj si dhe kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli. Takime janë paraparë edhe me bashkësinë afariste maqedono-kosovare. Kryeministri i Maqedonisë do të shoqërohet nga ministrat Kreshnik Bekteshi, Goran Sugareski, Robert Allagjozovski dhe Edmond Ademi. Vizita e Zaevit është e treta e një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë që nga fundi i luftës. Lupço Georgievski e ka vizituar Kosovën menjëherë pas luftës, ndërsa Nikolla Gruevski në Prishtinë ishte para dhjetë vitesh, konkretisht më 5 maj 2007. Megjithatë, Zaev është i pari kryeministër nga Shkupi që vjen në Prishtinë që nga shpallja e Pavarësisë. Zaev shkon në Kosovë pas një viti me shumë probleme në Maqedoni, që u përmbyll me rënien nga pushteti të VMRO-DPMNE-së dhe Gruevskit, dhe ardhjen në krye të Qeverisë të Zaevit, i cili është në koalicion me BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët. Më parë, u përfol për dilema të Zaevit nëse të udhëtojë drejt Prishtinës pasi një muaj më parë, Haradinaj solli vendim për të ndihmuar financiarisht familjet e kosovarëve të dënuar në rastin e Kumanovës, ndërsa pati reagime nga Shkupi zyrtar. (koha.mk)